Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së e anulon vizitën në Korenë e Jugut pas përpjekjes për gjendje ushtarake - NACIONALE

Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së e anulon vizitën në Korenë e Jugut pas përpjekjes për gjendje ushtarake

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, nuk planifikon më që të udhëtojë për në Korenë e Jugut, i thanë të enjten agjencisë së lajmeve “Reuters” dy zyrtarë amerikanë, pas përpjekjes së dështuar të presidentit jugkorean, Yoon Suk Yeol, që këtë javë ta fuste në fuqi gjendjen ushtarake.

Një zyrtar, duke folur në kushte anonimiteti, tha se ishte duke u bërë plani për një vizitë në të ardhmen e afërt, por u përcaktua se tani nuk ishte koha e duhur, raporton agjencia “Reuters”.

Zyrtari amerikan tha se Koreja e Jugut ishte konsultuar në lidhje me ndryshimin e planeve për udhëtimin e sekretarit Austin.

Austini do të largohet nga pozita që e ka më 20 janar, kur do të inaugurohet presidenti i zgjedhur, Donald Trump.

Shpallja e gjendjes ushtarake nga presidenti i Koresë së Jugut ka nxitur reagime dhe protesta në vend si dhe shqetësim në mesin e aleatëve ndërkombëtarë të Seulit.

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, i cili e kishte rekomanduar shpalljen e gjendjes ushtarake, tashmë ka dhënë dorëheqje.

Shtetet e Bashkuara kanë 28 mijë e 500 ushtarë të vendosur në Korenë e Jugut si trashëgimi e Luftës Koreane në periudhën 1950 – 1953.

Komandanti i forcave amerikane në Kore, Gjeneral Paul LaCamera, i paralajmëroi trupat amerikane përmes një deklarate të mërkurën që të qëndronin vigjilente, t’i shmangnin zonat me protesta dhe t’u tregonin eprorëve të tyre për planet e udhëtimit në rast se ndodh “diçka e papritur”./Nacionale

Lajme të ngjashme