Së paku pesë të vdekur nga stuhia në Kroaci, Slloveni e Bosnjë
Një stuhi e fuqishme e përfshiu pjesën veriperëndimore të Ballkanit të mërkurën, duke lënë të vdekur të paktën pesë persona në tri shtete e dhjetëra të tjerë të lënduar, sipas policisë dhe mediave lokale.
Dy persona vdiqën në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, pasi u goditën nga drurët e rrëzuar nga stuhia, tha policia kroate. Në Cernik të Kroacisë, drejtuesi i një veture vdiq, gjithashtu nga një dru i rrëzuar, raporton Radio “Evropa e Lirë”.
Një viktimë u regjistrua në Bled të Sllovenisë nga rrëzimi i një druri, ndërsa një tjetër në Brcko, në pjesën veriore të Bosnjës, ku era e fuqishme dëmtoi biznese e ndërtesa banimi.
Agjencia STA raportoi se fatkeqësia e motit në Slloveni ka shkaktuar dëm të madh material në mbarë vendin.
Aeroporti në Banja-Llukë të Bosnjës u mbyll përkohësisht, ndërsa edhe qarkullimi i trenave u pengua në disa vende.
Raportohet se në Brcko ndodhën nxjerrje të drurëve me rrënjë, thyerje të degëve, dëmtime të disa veturave dhe shpërthime të dy zjarreve.
Në zonën Samac, në pjesën veriore të Bosnjës, autoritetet për situata emergjente e shpallën gjendjen e katastrofës natyrore, pasi era e stuhisë shkaktoi dëm të madh ndaj ndërtesave private, biznesore e të banimit, raportoi Radio-televizioni i Republikës Serbe.