Së paku 88 të vdekur nga vërshimet e rënda në një qytezë në Nigeri - NACIONALE

Së paku 88 të vdekur nga vërshimet e rënda në një qytezë në Nigeri

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të paktën 88 njerëz janë konfirmuar të vdekur, pasi vërshimet e kapluan qytezën Mokwa të Nigerisë të enjten, tha një zyrtar i këtij shteti afrikan.

Husseini Isah, drejtor i zyrës së operacioneve në Minna, kryeqytet rajonal i shtetit nigerian, Niger, tha se shumë njerëz të tjerë janë ende në rrezik, ndërsa përpjekjet për shpëtim po vazhdonin të premten. Në raportimet e mëhershme u tha se të paktën 20 njerëz kishin vdekur, shkruan agjencia e lajmeve “Associated Press”.

“Numri vazhdon të rritet, por me numërimin e fundit, 88 trupa janë nxjerrë” – i tha Isah kësaj agjencie.

Vërshimet u shkaktuan nga shiu i dendur që zgjati disa orë. Sipas raportimeve lokale, në të cilat citohen disa banorë dhe zyrtarë të qeverisë lokale, shembja e një dige në një qytezë tjetër afër e përkeqësoi situatën.

Mokwa është pikëtakim i rëndësishëm për tregtarët nga jugu dhe për kultivuesit e ushqimit në pjesën veriore të vendit.

Në një ngjarje të ngjashme shtatorin e kaluar, shiu i dendur dhe shembja e një dige në pjesën verilindore të Nigerisë, Maiduguri, shkaktuan vërshime të rënda, duke lënë të paktën 30 të vdekur dhe duke e shkaktuar zhvendosjen e miliona të tjerëve, duke e përkeqësuar krizën humanitare të shkaktuar nga kryengritja e grupit Boko Haram.

Nigeria shpesh ballafaqohet me vërshime sezonale, sidomos ato që prekin komunitete buzë lumenjve Niger dhe Benue./Nacionale

Lajme të ngjashme