Së paku 6 të vrarë e 25 të plagosur nga sulmet izraelite në Liban - NACIONALE

Së paku 6 të vrarë e 25 të plagosur nga sulmet izraelite në Liban

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Të paktën gjashtë njerëz u vranë e 25 të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite në Ultësirën Bekaa të Libanit të premten, raportoi agjencia shtetërore libaneze e lajmeve, pasi ushtria izraelite tha se kishte vënë në shënjestër pika të Hezbollahut në atë zonë.

Këto sulme janë në mesin e më vdekjeprurëseve që janë raportuar në pjesën lindore të Libanit në javët e fundit dhe rrezikojnë që ta vënë në test armëpushimin e ndërmjetësuar nga ShBA-ja mes Izraelit e Hezbollahut, që është vënë nën trysni nga akuzat e përsëritura për shkelje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se ka goditur qendra komande të Hezbollahut në zonën Baalbek, që është pjesë e Ultësirës Bekaa. Nuk pati koment të menjëhershëm nga Hezbollahu.

Izraeli dhe Hezbollahu në vitin 2024 u pajtuan për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Uashingtoni me qëllim që t’u jepej fund luftimeve që kishin zgjatur më shumë se një vit e që kishin kulmuar në sulme izraelite. Nga ajo kohë, palët kanë shkëmbyer akuza për shkeljen e paktit të armëpushimit.

Zyrtarët amerikanë e izraelitë u kanë bërë presion autoriteteve libaneze që t’ia kufizojnë arsenalin Hezbollahut, ndërsa udhëheqësit libanezë kanë paralajmëruar se sulmet më të gjera izraelite do të mund ta destabilizonin vendin që tashmë është goditur nga kriza politike e ekonomike.

Ushtria izraelite tha se gjithashtu ka goditur një qendër komande të Hamasit nga e cila operonin militantët në zonën e Ain al-Hilweh-ut në jug të Libanit. Ail al-Hilweh është një kamp i dendur i refugjatëve palestinezë afër qytetit Sidon.

Lajme të ngjashme