Së paku 27 palestinezë vriten nga sulmet izraelite në Gaza - NACIONALE

Së paku 27 palestinezë vriten nga sulmet izraelite në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmet izraelite në Rripin e Gazës gjatë natës mes së dielës e të hënës lanë të vrarë të paktën 27 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë lokalë. Nuk pati koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite.

Izraeli ka kryer sulme të përditshme në Gaza që nga koha kur i dha fund armëpushimit me Hamasin muajin e kaluar. Autoritetet izraelite kanë lënë rreth dy milionë banorë të enklavës të izoluar nga importet, përfshirë ushqimin dhe ilaçet, që nga fillimi i marsit në atë që thotë se është përpjekje për t’i bërë presion Hamasit që t’i lirojë pengjet, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Një sulm ajror goditi një shtëpi në Beit Lahiya, duke vrarë dhjetë njerëz, përfshirë një ish të burgosur palestinez, Abdel-Fattah Abu Mahadi, i cili ishte liruar si pjesë e kushteve të armëpushimit. Të vrarë mbetën edhe bashkëshortja, dy prej fëmijëve të tyre dhe një nip ose mbesë, sipas Spitalit Indonezian, ku u pranuan trupat.

Një sulm tjetër goditi një shtëpi në Qytetin Gaza, duke lënë të vrarë shtatë persona, përfshirë dy gra, sipas shërbimit emergjent të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Dy të tjerë u plagosën.

Të dielën vonë, një shtëpi u godit nga një sulm në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, duke lënë të vrarë të paktën dhjetë njerëz, përfshirë pesë vëllezër e motra, më i riu 4 vjeç, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Dy fëmijë të tjerë u vranë bashkë me prindërit e tyre, sipas spitalit “Nasser”, ku u dërguan kufomat.

Bombardimet e përditshme dhe uria e përhapur janë bërë barrë e rëndë për banorët më të ndjeshëm të Gazës, përfshirë gratë shtatzëna dhe fëmijët. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të hënën e nisi mbajtjen e seancave rreth detyrimit të Izraelit për lehtësimin e shpërndarjes së ndihmave humanitare në territoret që i ka nën pushtim.

Izraeli thotë se i bën të gjitha përpjekjet për ta shmangur lëndimin e civilëve dhe e fajëson Hamasin për vdekjen e tyre, sepse militantët operojnë në zona me popullsi të dendur. Palestinezët thonë se asnjë vend në Gazën e bllokuar nuk është i sigurt./Nacionale

Lajme të ngjashme