Së paku 26 të vdekur nga përmbytja e një trageti të stërngarkuar në Filipine - NACIONALE

Së paku 26 të vdekur nga përmbytja e një trageti të stërngarkuar në Filipine

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën 26 persona kanë vdekur dhe 40 të tjerë janë shpëtuar, pasi një traget u përmbyt në Filipine, sipas zyrtarëve të këtij vendi. Tragjedia ndodhi në kohën e përfshirjes së shtetit aziatik nga tajfuni “Doksuri”.

Zyrtarët thanë se mbetej e paqartë se sa njerëz ndodheshin në tragetin “M/B Princess Aya”, i cili u përmbyt të enjten në Laguan de Bay të provincës Rizal, në lindje të kryeqytetit Manila, raporton gazeta “The Guardian”.

Trageti u përmbyt vetëm 46 metra larg bregdetit pas nisjes së lundrimit nga qyteza Binangoman për në ishullin Talim, thanë policia dhe roja bregdetare në një konferencë për gazetarë.

Ata thanë se barka u luhat anash dhe baraspeshuesi i saj u thye, kur njerëzit vrapuan në njërën anë të saj në mot me erë të fuqishme. Pastaj, trageti u përmbyt.

Policia në Rizal tha se menjëherë nisi një operacion shpëtimi me ndihmën e rojës bregdetare dhe autoriteteve të tjera lokale, por se të paktën 26 persona u mbytën në ujë e 40 u shpëtuan.

Roja bregdetare dhe policia thanë se përpjekjet për kërkim-shpëtim rinisën të premten pas ndërprerjes së tyre të enjten natën.

“Kjo është ngjarje vërtet tragjike që duhet të hetohet”- tha para gazetarëve zyrtari i rojës bregdetare, Hostillo Arturo Cornelio.

Trageti mund të ngarkohej me më së shumti 42 persona, por u stërngarkua, shtoi ai, duke thënë se hetuesit do t’i hulumtojnë edhe raportimet që pasagjerët nuk kishin veshur jelekë shpëtues, siç kërkohet me rregulloret e sigurisë.

Kur u pyet se sa njerëz ndodheshin në traget, Cornelio tha se ishte e paqartë nëse kishte më shumë se 66 që ishin në mesin e të vdekurve dhe të shpëtuarve. “Ne supozojmë se mund të ketë pasur më shumë”- tha ai.

Lajme të ngjashme