Së paku 24 të vdekur nga përmbysja e një barke të mbingarkuar në Kongo - NACIONALE

Së paku 24 të vdekur nga përmbysja e një barke të mbingarkuar në Kongo

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën 24 persona vdiqën, pasi një barkë e mbingarkuar u përmbyt në një lumë në provincën Mai-Ndombe të Kongos.

Numri i të vdekurve pritet të rritet, pasi shumë pasagjerë janë ende të zhdukur, tha të mërkurën një zyrtar lokal, raporton agjencia “Reuters”.

Barka në të cilën ndodheshin rreth 250 deri në 300 pasagjerë u përmbyt të dielën në mbrëmje, pasi goditi trungje drurësh nën ujë, i tha agjencisë “Reuters” administratori i territorit Kutu, Jacques Nzenza.

Sipas tij, mbingarkesa ishte shkaktari kryesor i aksidentit. “Kishte një mungesë baraspeshimi në barkë dhe personat në panik e vunë peshën në njërën anë, duke e shkaktuar rrokullisjen e barkës” – tha Nzenza.

Fidele Lizoringo, udhëheqës nga shoqëria civile në atë zonë, tha se 43 persona kanë mbijetuar, por fshatarët e zemëruar e mbytën menaxherin e barkës, sepse disa prej të afërmve të tyre kishin vdekur në aksident.

Lundrimi nëpër lumenj dhe aksidentet vdekjeprurëse me barka janë të zakonshme në këtë shtet afrikan, që ka pak rrugë të asfaltuara në territorin e vet të madh e malor. Barkat shpesh janë të mbingarkuara dukshëm mbi kapacitetin e tyre.

Lajme të ngjashme