Së paku 20 të vrarë në një sulm ndaj minatorëve në Pakistan - NACIONALE

Së paku 20 të vrarë në një sulm ndaj minatorëve në Pakistan

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Burra të armatosur të paidentifikuar bënë rresht disa minatorë në një minierë të vogël private në jugperëndim të Pakistanit dhe i qëlluan ata të premten, thanë policia dhe mediat, duke vrarë të paktën 20 prej tyre e duke plagosur shtatë.

Sulmi në mëngjesin e hershëm në provincën e pasur me minerale, Baloçistan, që kufizohet me Afganistanin dhe Iranin, është më i rëndi në javët e fundit dhe ndodhi disa ditë para se Pakistani ta mbajë samitin e Organizatës së Shangait për Bashkëpunim, raporton agjencia “Reuters”.

Rasti gjithashtu ndodhi kur Islamabadi do të presë një delegacion nga Arabia Saudite që është duke eksploruar marrëveshje për mihje në përpjekje për t’u rimëkëmbur nga kriza ekonomike.

Asnjë grup nuk e mori përgjegjësinë për sulmin e së premtes, ku në mesin e të vdekurve ishin katër shtetas afganë, ndërsa katër të tjerë nga ky shtet u plagosën.

“Një grup i burrave të armatosur i sulmuan minierat e kompanisë “Junaid Coal” në zonën Duki në orët e hershme duke përdorur armë të rënda” – tha Humayun Khan, oficer policor në qytezën që ndodhet në lindje të qytetit Quetta.

Khani shtoi se sulmuesit hodhën edhe raketa e granata në miniera. Sulmuesit i grumbulluan minatorët në një vend dhe hapën zjarr drejt tyre, raportuan mediat lokale, ndërsa zyrtarët thanë se sulmuesit gjithashtu shkatërruan pajisje dhe ia vunë flakën makinerisë së minierave./Nacionale

Lajme të ngjashme