Së paku 18 të vdekur nga aksidenti mes dy minibusëve në Irak, dyshohet se shoferin e zuri gjumi
Së paku 18 persona, kryesisht pelegrinë iranianë, kanë vdekur nga përplasja mes dy minibusëve në veri të kryeqytetit irakian, Bagdad, thanë të shtunën zyrtarët shëndetësorë.
Aksidenti i tmerrshëm ndodhi mes Dujail-it dhe Samarra-s, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, INA, duke e cituar drejtorin e Shërbimeve Shëndetësore në provincën Salaheddin, Khaled Burhan.
Minibusët u përplasën mes vete pak pas mesnatës të premten, duke lënë 18 të vdekur e 15 të lënduar, i tha agjencisë AFP një zyrtar mjekësor në Salaheddin, duke folur në kushte anonimiteti, sepse nuk ishte i autorizuar për të folur me media, përcjell gazeta “Barron’s”.
Burimi i njëjtë, duke i cituar rrëfimet e dëshmitarëve, tha se besohet që njërin nga vozitësit e kishte zënë gjumi gjatë rrugëtimit.
Në mesin e të vdekurve janë 14 iranianë, dy afganë dhe dy të tjerë që nuk janë identifikuar ende, tha një zyrtar tjetër i spitalit, gjithashtu duke folur në kushte anonimiteti.
Një zyrtar i autoritetit lokal të trafikut tha se në mesin e të vdekurve janë dy vozitësit e minibusëve. Edhe ky zyrtar i përmendi raportimet se njëri vozitës kishte vjetur gjatë rrugëtimit dhe se minibusi kishte dalë në shiritin e kundërt.
Gati para një viti, më 11 shtator 2022, 11 pelegrinë shiitë iranianë dhe vozitësi i tyre irakian vdiqën nga përplasja mes minibusit të tyre dhe një kamioni në provincën Babil, në jug të Bagdadit, kishte thënë atë kohë një zyrtar shëndetësor.
Miliona pelegrinë shiitë, shumë prej tyre nga Irani, nisen çdo vit drejt faltores së Kerbelasë në atë që është prej tubimeve më të mëdha fetare në botë.