Së paku 18 të vdekur e shumë dëme nga shiu i madh në Korenë e Jugut
Moti me shumë lagështi në Korenë e Jugut u përmirësua të hënën pas disa ditëve me shi të dendur që shkaktoi vërshime e rrëshqitje dheu dhe la të paktën 18 njerëz të vdekur, tha të hënën Ministria e Brendshme dhe e Sigurisë.
Nëntë njerëz mbetën të zhdukur deri të dielën në mbrëmje, sipas kësaj ministrie, ndërsa njerëzit në zonat më të prekura ishin të shokuar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në Gapyeong, rreth 60 kilometra në verilindje të kryeqytetit Seul, disa banorë sollën ndër mend se si shpëtuan për pak nga vërshimet, pasi 173 milimetra shi ranë në zonë për vetëm 17 orë të dielën.
Ky vendbanim ishte në mesin e disa vendeve që përjetuan sasi rekorde të shiut brenda një dite dhe u thyer rekordi i mëparshëm për reshje në nivel kombëtar prej 156,3 milimetrash, i vendosur në shtatorin e vitit 1998.
“Toka thjesht u fundos nën mua dhe uji u ngrit deri te qafa ime. Për fat të mirë, afër meje ishte një gyp i metalit. U mbajta në të me tërë fuqinë time” – tha Ahn Gyeong-bun, pronare e një restoranti që u shkatërrua pothuajse tërësisht.
Dy njerëz vdiqën dhe katër të tjerë u zhdukën, pasi disa shtëpi u goditën nga rrëshqitja e dheut përreth vendbanimit Gapyeong, ndërsa uji i vërshimeve mori me vete automjete të dielën, tha ministria.
Në mbarë shtetin, dëme nga shiu janë raportuar në 1.999 struktura publike dhe 2.238 objekte private, përfshirë fermat, tha Ministria e Brendshme.
Përderisa reshjet janë qetësuar, agjencia kombëtare e motit tani ka lëshuar paralajmërim gjithëkombëtar për vapë./Nacionale