Së paku 14 të vdekur nga shembja e një miniere ilegale të arit në Venezuelë
Shembja e një miniere ilegale të arit në pjesën qendrore të Venezuelës ka lënë të paktën 14 të vdekur e disa të tjerë të lënduar, thanë të mërkurën autoritetet shtetërore, ndërsa disa zyrtarë të tjerë thanë se një numër i papërcaktuar i njerëzve mund të jenë të ngujuar.
Guvernatori i rajonit Bolivar, Angel Marcano, u tha reporterëve lokalë se 14 trupa ishin tërhequr deri më tani dhe se autoritetet dinin për të paktën 11 persona të lënduar, raporton agjencia “Associated Press”.
“Ne vazhdojmë që ta kryejmë punën e shpëtimit” – shtoi ai, ndërsa të afërmit kërkuan përpjekje të shpejta për shpëtim.
Aksidenti ndodhi të martën në komunën Angostura, kur një mur u shemb në minierën e njohur si “Bulla Loca”, tek e cila mund të arrihet vetëm përmes lundrimit me barkë për disa orë.
Kryetari i komunës Angostura, Yorgi Arciniega, tha të martën vonë se planifikonte që të dërgonte “rreth 30 arkivole” te një komunitet afër minierës, duke lënë të kuptohej se autoritetet kishin frikë që numri i të vdekurve mund të shkojë në dhjetëra.
Të afërmit e minatorëve u grumbulluan në La Paragua, komuniteti më i afërt nga miniera, për të kërkuar nga autoritetet që të dërgonin helikopterë në vendin e largët për t’i shpëtuar të lënduarit dhe për t’i tërhequr trupat.
“Ne jemi këtu duke pritur, ju lutem, qeveria të na përkrahë me helikopterë, aeroplanë, çfarëdo” – tha Karina Rios, babai i vajzës së të cilës ishte ngujuar nga shembja. “Janë goxha disa të vdekur, ka njerëz të plagosur. Pse nuk na japin përkrahje, ku janë” – shtoi ajo.
Rios tha më tej se brengoset që trupat mund të dekompozohen shpejt për shkak të kushteve në atë zonë.
Shumë miniera në Venezuelë funksionojnë jashtë margjinave të ligjit. Ato ofrojnë vende pune fitimprurëse për venezuelasit e rëndomtë, por kushtet janë të rënda.