Së paku 12 të vrarë e 15 të zhdukur pas një sulmi në Sudan të Jugut
Të rinjtë sulmuan një fshat në lindje të Sudanit të Jugut dhe qëlluan për vdekje të paktën 12 persona, ndërsa 15 fëmijë janë zhdukur, thanë të martën zyrtarët e këtij shteti, përderisa konfliktet lokale vazhduan që të shtohen para zgjedhjeve që janë planifikuar për më vonë këtë vit.
Një luftë civile në periudhën 2013 – 2018 shkaktoi qindra mijëra viktima dhe ndonëse palët kryesore ndërluftuese kanë arritur paqe nga ajo kohë, po vazhdojnë përleshjet mes grupeve të armatosura, raporton agjencia “Reuters”.
Aktivistët besojnë se shtimi i dhunës rishtazi është të paktën pjesërisht i ndërlidhur me zgjedhjet që pritet t’i sjellin pasardhësit e qeverisë së tanishme kalimtare.
Në incidentin më të ri të dielën, të rinjtë e sulmuan fshatin Ajwara të distriktit Pochalla, tha Abraham Kelang, ministër i Informacionit në Zonën Administrative të Piborit të Madh.
“Dymbëdhjetë njerëz u vranë, 10 u lënduan dhe ishin disa bagëti që u bastisën” – i tha ai agjencisë “Reuters”, duke shtuar se shumica e të vdekurve ishin të moshuar.
Sulmuesit, nga grupi etnik Murle, gjithashtu dyshohen për rrëmbim të fëmijëve, tha Owety Olung, komisionar në detyrë i distriktit Pochalla.
“Kemi 15 fëmijë që janë zhdukur tash për tash. Nuk dimë se ku janë, nëse janë me sulmuesit apo në shkurre” – i tha ai agjencisë “Reuters”.
Shumica e banorëve në Pochalla i përkasin grupit etnik Anyuak. Ata dhe grupi Murle, që kryesisht jeton në distriktin fqinj, Voma, kanë luftuar kohë pas kohe dhe dhuna, pjesërisht e motivuar nga vjedhja e bagëtive, ka përfshirë grupe etnike edhe nga shteti fqinj Jonglei.
Në fund të marsit, të rinjtë qëlluan për vdekje 15 persona në Pibor, përfshirë një nënkomandant ushtarak të Bomas, zyrtarë qeveritarë e truproja të komisionarit të distriktit.
Më shumë se 150 persona u vranë më herët këtë vit gjatë konflikteve mes grupeve rivale në pjesët veriore e perëndimore të Sudanit të Jugut.