Scholzi e quan të neveritshme përkrahjen e Muskut për të djathtën ekstreme në Evropë - NACIONALE

Scholzi e quan të neveritshme përkrahjen e Muskut për të djathtën ekstreme në Evropë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, të martën e kritikoi ashpër mbështetjen që personi më i pasur në botë, Elon Musk, po ua ofron partive djathtiste në Bashkimin Evropian, duke e quajtur këtë “vërtet të neveritshme” dhe duke thënë se veprimi i tillë po e pengon demokracinë në BE.

Miliarderi amerikan dhe aleati i presidentit të ShBA-së, Donald Trump, disa herë i ka sulmuar kancelarin gjerman dhe qeverinë e tij, duke i bërë thirrje që të japë dorëheqje dhe duke thënë se partia gjermane e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), është shpëtimtarja e vendit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ajo që është e re, është se ai po ndërhyn në favor të politikanëve djathtistë në mbarë Evropën dhe kjo është vërtet neveritëse dhe nuk është e mirë për zhvillimin demokratik në tërë Bashkimin Evropian” – u përgjigj Scholz-i në gjuhën angleze në pyetjen e një gazetari pas një tubimi të fushatës në Berlin.

Më rishtazi, Musku bëri një paraqitje të befasishme në një organizim fushate të AfD-së përmes video-lidhjes dhe tha se gjermanët nuk duhet të jenë fajtorë për mëkatet e prindërve të tyre dhe duhet të jenë krenarë me kulturën e tyre.

“Unë jam absolutisht kritik për atë që Elon Musku e tha për historinë e Gjermanisë” – tha kancelari gjerman, duke shtuar se vendi i tij do të vazhdojë që ta bartë përgjegjësinë për gjërat që janë bërë nga gjermanët në të kaluarën.

Këtë javë, bota po e përkujton çlirimin e kampit nazist të përqendrimit, Aushvic, shtoi Scholzi, duke thënë: “Kjo vrasje e aq shumë hebrenjve dhe e njerëzve të tjerë në Evropë, e bërë nga gjermanët në të kaluarën, kjo është një përgjegjësi historike”.

Sipas tij, Gjermania është falënderuese ndaj ShBA-së për çlirimin e saj nga nazistët dhe për ndihmën e ofruar që vendi të bëhet përsëri demokraci dhe se “për këtë arsye, unë jam aq i zemëruar për ndërhyrjen e Elon Muskut për të djathtën ekstreme”./Nacionale

Lajme të ngjashme