Scholz-i dëshiron që Qeveria e Gjermanisë të hapë një llogari në TikTok - NACIONALE

Scholz-i dëshiron që Qeveria e Gjermanisë të hapë një llogari në TikTok

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se dëshiron që Qeveria e Gjermanisë të hapë një llogari në rrjetin e njohur social, “TikTok”. Duket se shqetësimi për praninë e fuqishme të partisë së të djathtës ekstreme, AfD, në rrjete sociale ia ka marrë anën shqetësimeve për sigurinë rreth platformës në pronësi kineze.

Përderisa politikanët dhe partitë tradicionale po fillojnë që të kenë prani të nivelit të ulët, partitë si Alternativa për Gjermaninë (AfD) tashmë po përfitojnë nga kjo platformë për t’i lidhur me votues më të rinj para një vargu të zgjedhjeve komunale e rajonale këtë vit, raporton agjencia “Reuters”.

AfD-ja, e cila ka shënuar rritje në sondazhe vitin e kaluar për t’u ngritur në vendin e dytë, ka më shumë se dyfish më shumë ndjekës në rrjetin “Facebook” se partitë tradicionale, sipas një analize nga konsulenti politik, Johannes Hillje.

Kjo parti ka rreth dhjetë herë më shumë përcjellës në uebfaqen e videove “YouTube” dhe videot e saj janë shfaqur dhjetë herë më shpesh në “TikTok”, shtoi ai.

Kur u pyet për këtë dallim në një forum të enjten në mbrëmje në Dresden, kryeqytet i shtetit lindor gjerman të Saksonisë, bastion i së djathtës ekstreme, Scholz-i tha se Qeveria ishte duke e shqyrtuar hapjen e një llogarie në “TikTok”.

“Dhe unë besoj se kjo është gjë e duhur” – tha ai.

Megjithatë, agjencitë gjermane të sigurisë kanë paralajmëruar kundër përdorimit të këtij aplikacioni për shkak të shqetësimit se ai mund të ndajë të dhëna me Qeverinë e Kinës ose të përdoret për të ndikuar te përdoruesit. Disa shtete, përfshirë ShBA-në, Britaninë dhe Austrinë, vitin e kaluar e ndaluan këtë aplikacion në telefonat e punës të punëtorëve qeveritarë.

Të premten, një zëdhënës qeveritar tha se Berlini ende duhej ta kontrollonte situatën në mënyrë të plotë para hapjes së një llogarie, duke theksuar se anëtarët e zyrës federale për shtyp nuk mund të kenë qasje në aplikacion përmes telefonave të tyre qeveritarë.

“Por, në thelb, “TikTok”-u është platformë që përdoret veçanërisht intensivisht nga të rinjtë – dhe ne duhet ta pranojmë këtë pavarësisht nga të gjitha kritikat e justifikuara ndaj platformës” – shtoi zëdhënësi.

Sidoqoftë, “TikTok”-u thotë se paralajmërimet për sigurinë janë të pajustifikuara dhe se kompania nuk mbledh më shumë të dhëna se aplikacionet e tjera.

Kompania “ByteDance”, që është pronare e aplikacionit, ka mohuar se e përdor atë për spiunazh. Edhe Pekini zyrtar disa herë ka mohuar se ka ndonjë qëllim për ta shfrytëzuar këtë aplikacion për spiunazh.

Lajme të ngjashme