Sanksionet e Trumpit, vjen reagimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale - NACIONALE

Sanksionet e Trumpit, vjen reagimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) të premten tha se e dënon vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e sanksioneve kundër stafit të saj.

Të enjten, kreu i Shtëpisë së Bardhë autorizoi sanksione ekonomike e të udhëtimit që në shënjestër kanë persona që punojnë në hetimet e GjNP-së ndaj shtetasve të ShBA-së ose të aleatëve të saj si Izraeli, duke e përsëritur veprimin që e kishte ndërmarrë edhe gjatë mandatit të parë si president, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Vendimi i Trumpit ishte protestë kundër urdhërarrestit të lëshuar nga GjNP-ja për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe u mor në kohën kur Uashingtonin po e vizitonte udhëheqësi izraelit.

GjNP-ja tha se urdhri i Trumpit do ta minojë punën e saj gjyqësore dhe u bëri thirrje 125 shteteve anëtare që “të qëndrojnë të bashkuara” për drejtësi dhe për të drejta të njeriut.

“Gjykata qëndron në mënyrë të vendosur me personelin e vet dhe zotohet për ta vazhduar ofrimin e drejtësisë dhe shpresës për miliona viktima të pafajshme të mizorive në mbarë botën, në të gjitha siutatat para saj” – tha GjNP-ja në reagim.

Gjykata Ndërkombëtare Penale u themelua në vitin 2002 për të ndjekur penalisht të dyshuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe krime të agresionit, kur shtetet anëtare nuk janë të gatshme ose nuk kanë mundësi për ta bërë këtë vetë.

Kjo gjykatë mund të ndjekë penalisht raste të kryera nga shtetas të vendeve anëtare ose që janë kryer nga aktorë të tjerë në territoret e tyre./Nacionale

Lajme të ngjashme