Sa vlen TikToku dhe kush do të mund ta blinte atë në ShBA? - NACIONALE

Sa vlen TikToku dhe kush do të mund ta blinte atë në ShBA?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Aplikacioni i famshëm i rrjeteve sociale, TikTok, mund të ndalohet në ShBA nga 19 janari përmes një ligji federal që e detyron platformën të shkëputet nga pronësia e kompania amë me bazë në Kinë, “ByteDance”, ose t’i ndërpresë operacionet e veta në Shtetet e Bashkuara.

Disa palë kanë shprehur interesim për ta blerë platformën, por kompania “ByteDance” ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk planifikon që ta shesë atë. Ekspertët gjithashtu e kanë vënë në dukje faktin se ka pak gjasa që Qeveria e Kinës të miratojë një shitje që do ta përfshinte algoritmin e lakmuar të TikTokut, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Megjithatë, derisa të kalojë afati, ose derisa Gjykata Supreme e ShBA-së të marrë masa, mundësia për blerje është ende e mundshme. Çfarë duhet të dihet?

Sa vlen TikToku?

Dan Ives, analist në kompaninë e shërbimeve financiare “Wedbush”, vlerëson se vlera e TikTokut është “dukshëm mbi 100 miliardë dollarë” me algoritmin – dhe potencialisht deri në 200 miliardë dollarë “në skenarin e rastit më të mirë”.

“Pa algoritmin, [vlera] është 40 deri në 50 miliardë dollarë” – tha Ives, duke shtuar se nuk beson që kompania “ByteDance” dhe Kina do ta shisnin TikTokun bashkë me algoritmin e tij.

Përfaqësues ligjorë të TikTokut dhe të kompanisë “ByteDance” kanë pretenduar se është e pamundur që të shkëputet pronësia e platformës komercialisht dhe në aspektin teknologjik. Ata gjithashtu thonë se çfarëdo shitjeje e TikTokut pa algoritmin e lakmuar do ta shndërronte versionin amerikan të TikTokut në një ishull të shkëputur nga përmbajtja tjetër globale.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se algoritmi është i ndjeshëm ndaj manipulimit nga autoritetet kineze, të cilat mund ta shfrytëzojnë atë për t’i dhënë formë përmbajtjes në platformë në një mënyrë që vështirë vërehet.

Kush është serioz për blerjen e TikTokut?

Biznesmeni miliarder dhe manjati i patundshmërive, Frank McCourt, dhe grupi i tij avokues i internetit rishtazi njoftuan se kishin dorëzuar një propozim për ta blerë aplikacionin nga kompania “ByteDance”. Përpjekjes i është bashkuar edhe Kevin O’Leary. Grupi nuk ka zbuluar hollësi të ofertës për blerje.

Nëse ndodh shitja, ish-pronari i Los Angeles Dodgers tha se do të planifikonte që ta ristrukturonte TikTokun dhe do t’u jepte mundësi për më shumë veprim njerëzve “mbi identitetet dhe të dhënat e tyre digjitale” duke e vendosur platformën në një protokoll me burim të hapur që lejon më shumë transparencë.

Ish-sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, gjithashtu ka bërë hapa për ta blerë TikTokun.

Pak pasi Kongresi e miratoi ndalimin, Mnuchini i tha televizionit CNBC se e kishte nisur themelimin e një grupi investues që do ta blinte kompaninë e popullarizuar të rrjeteve sociale. Ai nuk ofroi hollësi se kush mund të ishte në grup ose për vlerësimin e mundshëm të vlerës së TikTokut.

Edhe disa emra të tjerë janë përmendur si blerë të mundshëm – miliarderi Elon Musk, Jimmy Donaldson dhe Bobby Kotick. Sidoqoftë, është e paqartë nëse këta blerës të mundshëm janë seriozë në synimin e tyre dhe nëse janë duke e ndërtuar në mënyrë aktive përpjekjen për ta blerë kompaninë.

A mund të ndërhyjë Trumpi?

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili do të rikthehet në pushtet më 20 janar, rishtazi kërkoi nga Gjykata Supreme që të vendoste një pauzë ndaj ligjit në mënyrë që ai të mund të punonte për një “zgjidhje politike” rreth çështjes gjatë mandatit të dytë.

Nëse gjykatësit – të cilët të premten dëgjuan argumente me gojë për ligjin – e miratojnë kërkesën e Trumpit, ndalimi i mundshëm i TikTokut do të shtyhej. Gjykata Supreme pritet që të lëshojë një vendim brenda disa ditëve.

Ekipi transitor i Trumpit nuk ka ofruar hollësi për atë se si presidenti i zgjedhur planifikon që ta zbatojë zotimin e fushatës për ta “shpëtuar TikTokun”. Megjithatë, zëdhënësja e tij, Karoline Leavitt, tha në një deklaratë në nëntor se ai planifikon që ta “përmbushë” premtimin.

Pasi të vijë Trumpit në pushtet, përgjegjësia për zbatimin e ligjit dhe për ndëshkimin e shkelësve të mundshëm të tij do t’i bjerë Departamentit të Drejtësisë. Të mërkurën, Pam Bondi, e nominuara e Trumpit për kryeprokurore të ShBA-së, iu shmang një pyetjeje gjatë një seance në Senat për atë nëse ajo do ta mbante në fuqi ndalimin e TikTokut.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme