Ryabkovi thotë se Rusia është e gatshme për ballafaqim afatgjatë me ShBA-në - NACIONALE

Ryabkovi thotë se Rusia është e gatshme për ballafaqim afatgjatë me ShBA-në

1 javë më parë

nga NACIONALE

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Ryabkov, citohet të ketë thënë të mërkurën se vendi i tij duhet të përgatitet për ballafaqim afatgjatë me Shtetet e Bashkuara dhe se i ka dërguar Uashingtonit paralajmërime të përsëritura për krizën në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Lufta e nisur në fillim të vitit 2022 në Ukrainë e ka shkaktuar përplasjen më të ashpër mes Rusisë dhe Perëndimit që nga Kriza Kubane e Raketave e vitit 1962, që konsiderohet si momenti kur dy superfuqitë e Luftës së Ftohtë ishin më së afërti një lufte të qëllimshme bërthamore, raporton agjencia “Reuters”.

Ryabkovi, që i mbikëqyr marrëdhëniet me Uashingtonin dhe kontrollin e armëve, tha se Moska nuk ka iluzione për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, duke e marrë parasysh “konsensusin dypartiak anti-rus” në Uashington.

“Ne duhet të përgatitemi për një ballafaqim afatgjatë me këtë shtet. Ne jemi gati për këtë në secilin kuptim” – citohet të ketë thënë diplomati i lartë rus, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, RIA.

“Ne do t’i dërgojmë të gjitha sinjalet paralajmëruese te kundërshtari ynë që ai të mos e nënvlerësojë vendosmërinë tonë” – shtoi zëvendësministri rus.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e paralajmëroi Perëndimin javën e kaluar se Rusia do të mund të përdorte armë bërthamore, nëse do të sulmohej me raketa konvencionale dhe se Moska mund të konsiderojë çfarëdo sulmi ndaj saj, që mbështetet nga një fuqi bërthamore, si sulm të përbashkët./Nacionale

Lajme të ngjashme