"E shijshme dhe kaq", Rusia bën hapjen e restoranteve zëvendësuese të McDonald's - NACIONALE

"E shijshme dhe kaq", Rusia bën hapjen e restoranteve zëvendësuese të McDonald's

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjigandi i ushqimit të shpejtë McDonald's u tërhoq nga Rusia në shenjë proteste ndaj pushtimit të Ukrainës dhe ia shiti restorantet e tij - më shumë se 800 - biznesmenit rus Alexander Govor.

Por, restorantet e para të riemruara të McDonalds, janë rihapur sot në Moskë.

Emri i tyre i ri është: "Vkusno i Tochka", që përkthehet si "E shijshme dhe kaq".

Pronarët e rinj shpresojnë që klientët të mos vërejnë shumë ndryshime. Gjatë ditës së sotme, ata mbajtën një konferencë shtypi në restorantin kryesor në Sheshin Pushkin, ku u hap McDonald's i parë në Moskë 32 vjet më parë.

“Qëllimi ynë është që mysafirët tanë të mos vërejnë dallime as në cilësi dhe as në ambient”, tha Oleg Paroyev, CEO i Vkusno i Tochka.

Kompania e re thotë se përbërja e hamburgerëve nuk ka ndryshuar dhe pajisjet e McDonald's mbeten.

Ardhja e McDonald's në Rusi para 32 vitesh ishte një simbol i Rusisë Sovjetike që përqafonte idetë perëndimore, kulturën perëndimore dhe ushqimin perëndimor.

Ndërsa, rihapja e McDonalds ditën e dielë kishte sërish një simbol, këtë radhë të kundërt – atë që: Rusia dhe Perëndimi po ndahen.

Në shenjë proteste ndaj ofensivës ruse në Ukrainë, përveç McDonalds, edhe shumë marka e kompani globale kanë pezulluar bizneset e tyre në Rusi ose i kanë shitur dhe janë tërhequr plotësisht.

Starbucks, Coca Cola, Levi's dhe Apple janë ndër markat ndërkombëtare kryesore që janë larguar nga vendi.

Ndërsa, muajin e kaluar McDonald's njoftoi se do të largohej nga Rusia për shkak të "krizës humanitare" dhe "mjedisit të paparashikueshëm operativ" të shkaktuar nga lufta.

Rusia tani është nën sanksione të gjera ndërkombëtare, të cilat po ndërpresin zinxhirët e saj të furnizimit dhe po rrisin papunësinë vend.

Lajme të ngjashme