Rusia thotë se Ukraina ka përdorur raketa britanike “Storm Shadow” për ta sulmuar Luhanskun
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të shtunën se aeroplanët ukrainas kanë goditur dy objekte industriale në qytetin e kontrolluar nga rusët, Luhansk, në lindje të Ukrainës, me raketa me rreze të gjatë veprimi me vetëdrejtim, “Storm Shadow” (“Hija e Stuhisë”), të dhuruara nga Mbretëria e Bashkuar.
Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë raportimet nga fusha e betejës.
Britania të enjten u bë shteti i parë që tha se e kishte filluar furnizimin e Kievit me raketa me rreze të gjatë veprimi me vetëdrejtim, që do t’ia mundësojnë goditjen e trupave dhe depove ruse shumë larg përtej vijës së frontit, përderisa vendi po përgatitet për një kundërsulm ndaj forcave të armikut.
Ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, tha se këto raketa mund të përdoren brenda territorit ukrainas, duke lënë të kuptohej se ka marrë garanci nga Ukraina se ato nuk do të përdoren për të sulmuar caqe brenda kufirit të Rusisë.
Ministria ruse tha se raketat goditën një fabrikë të polimereve dhe një fabrikë për përpunimin e mishit në Luhansk të premten.
“Raketat ajër – ajër Storm Shadow, të dhuruara për regjimin e Kievit nga Britania, u përdorën për këtë sulm, në kundërshtim me deklaratat e Londrës se këto armë nuk do të përdoren kundër caqeve civile”- tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Kjo ministri tha, gjithashtu, se ka rrëzuar dy aeroplanë luftarakë ukrainas – një të tipit Su-24 dhe një MiG-29 – të cilët i kishin hedhur raketat.
Në buletinin më të ri, ministria ruse tha se forcat ruse e kanë marrë kontrollin në një bllok tjetër në qytetin Bakhmut, të cilin Moska është munduar që ta kapë për më shumë se dhjetë muaj.

