Rusia thotë se Ukraina ka goditur platformat e gazit në Detin e Zi
Zyrtarët rusë kanë thënë se forcat ukrainase kanë goditur platformat e gazit të Detit të Zi.
Këto raporte vijnë në një kohë kur forcat ruse thuhet se po mblidhen për sulmin përfundimtar në Sievierodonetsk dhe Lysychansk.
Zyrtarët rusë thanë se Ukraina nisi sulme me raketa kundër tre platformave të gazit në Detin e Zi në jug të Odesës, një përshkallëzim i dukshëm i përpjekjeve të Kievit për të dobësuar dominimin detar të Rusisë.
Sipas kreut të Krimesë së okupuar, nga sulmet janë plagosur tre persona dhe shtatë të tjerë janë zhdukur. Sergej Aksyonov tha se ishte duke u zhvilluar një "operacion shpëtimi me pjesëmarrjen e anijeve patrulluese dhe aviacionit".
Tre platformat në det të hapur, kullat e Bojkos, ishin marrë nga Moska në vitin 2014. Ndërsa, Kievi beson se ato përdoren për zbulim ushtarak dhe për të ndihmuar në vendosjen e kontrollit të një pjese më të madhe të Detit të Zi.
Lidhur me këtë sulm nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga Ukraina.
Një sulm mbi këto platforma do të përfaqësonte një përpjekje të mëtejshme të Ukrainës për të arritur në Detin e Zi, që vjen tre ditë pasi ajo tha se kishte shkatërruar një rimorkiator rus pranë ishullit Snake duke përdorur raketa perëndimore Harpoon.