Rusia thotë se s’është lehtë të arrihet marrëveshje e paqes për Ukrainën me ShBA-në - NACIONALE

Rusia thotë se s’është lehtë të arrihet marrëveshje e paqes për Ukrainën me ShBA-në

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se nuk është lehtë që të arrihet pajtueshmëri me Shtetet e Bashkuara rreth pjesëve kyçe të një marrëveshjeje të mundshme të paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe se vendi i tij nuk do ta lejojë veten kurrë më që të varet ekonomikisht nga Perëndimi.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili thotë se dëshiron të mbahet në mend si paqebërës, në mënyrë të përsëritur ka thënë se dëshiron që t’i japë fund “gjakderdhjes” në konfliktin trevjeçar në Ukrianë, edhe pse ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Nuk është lehtë që të arrihet pajtim për pjesë kyçe të një marrëveshjeje. Ato janë duke u diskutuar” – tha kryediplomati rus në një intervistë për gazetën “Kommersant”, kur u pyet nëse Moska dhe Uashingtoni ishin pajtuar për disa aspekte të një pakti të mundshëm të paqes.

“Ne jemi mirë të vetëdijshëm se si duket një marrëveshje me dobi reciproke, të cilën ne kurrë nuk e kemi kundërshtuar, dhe se si duket një marrëveshje që do të mund të na çonte në një kurth tjetër” – tha Lavrovi në intervistën e publikuar në edicionin e së martës të gazetës ruse.

Kremlini tha të dielën se ishte shumë herët që të priteshin rezultate nga rivendosja e marrëdhënieve më normale me Uashingtonin.

Lavrovi tha se pozicioni i Rusisë është përcaktuar qartë nga presidenti Vladimir Putin në qershorin e vitit të kaluar, kur Putini kërkoi që Ukraina zyrtarisht të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO dhe për t’i tërhequr trupat nga tërë territori i katër rajoneve ukrainase për të cilat Moska pretendon se i ka aneksuar.

“Po flasim për të drejtat e njerëzve që jetojnë në këto toka. Për këtë arsye, këto toka janë të dashura për ne dhe ne nuk mund t’i japim ato, duke lejuar që njerëzit të dëbohen nga ato vende” – tha më tej ministri rus.

Ai e çmoi “të menduarit logjik” të Trumpit dhe për deklaratën se përkrahja e kaluar e ShBA-së për synimin e Ukrainës për anëtarësim në NATO ishte një shkak i rëndësishëm i luftës në Ukrainë.

Megjithatë, kryediplomati rus paralajmëroi se vendi i tij nuk do të miratojë asnjë lëvizje që e kthen Rusinë te varësia ekonomike, ushtarake, teknologjike dhe bujqësore nga Perëndimi.

Sipas tij, globalizimi i ekonomisë botërore është shkatërruar nga sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, Kinës dhe Iranit nga administrata e ish-presidentit amerikan, Joe Biden./Nacionale

Lajme të ngjashme