Rusia thotë se po e shikon me shqetësim situatën “tragjike” në Korenë e Jugut - NACIONALE

Rusia thotë se po e shikon me shqetësim situatën “tragjike” në Korenë e Jugut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia është duke i ndjekur me shqetësim zhvillimet në Korenë e Jugut, pasi presidenti Korean e shpalli për një kohë të shkurtër ligjin ushtarak, por nuk ka rrezik ndaj qytetarëve rusë atje, tha të mërkurën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Moska i ka thelluar marrëdhëniet me fqinjën e Seulit, Korenë e Veriut, që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës, duke shkaktuar shqetësim te vendet perëndimore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ligjvënësit e Koresë së Jugut të mërkurën paraqitën një projektligj për ta hetuar presidentin Yoon Suk Yeol, pasi ai e shpalli ligjin ushtarak para se ta zhbënte masën disa orë më vonë, duke nxitur krizë politike në ekonominë e katërt më të madhe të Azisë, aleate e rëndësishme e Shteteve të Bashkuara.

“Ne po i shikojmë me shqetësim ngjarjet tragjike që po shpalosen në Korenë e Jugut. Situata në Gadishullin Korean tashmë është e ndërlikuar nga veprimet provokuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të tyre” – tha Zakharova.

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në qershor nënshkruan një traktat në Penjan. Në dokument përfshihet një klauzolë për mbrojtje reciproke.

Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Ukraina e kanë akuzuar Korenë e Veriut për dërgim të më shumë se 10 mijë trupave në rajonin Kursk të Rusisë, ku forcat ruse po mundohen që t’i dëbojnë ushtarët ukrainas. Moska as nuk e ka konfirmuar, as nuk e ka mohuar praninë e tyre.

Lajme të ngjashme