Rusia thotë se ka vërejtur në radar dy raketa ukrainase para rrëzimit të aeroplanit
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e ka fajësuar Ukrainën për rrëzimin e një aeroplani transportues ushtarak, duke thënë se radari i saj e ka vërejtur hedhjen e dy raketave.
Në një deklaratë të kësaj ministrie thuhet se aeroplani ishte duke fluturuar nga Chkalovsky, afër Moskës, për në Belgorod për të transportuar të burgosur ukrainas të luftës, të cilët do të shkëmbeheshin me të burgosur rusë, raporton televizioni BBC.
“Aeroplani u shkatërrua nga Forcat e Armatosura të Ukrainës nga zona e Lyptsi-t, në rajonin e Kharkiv-it, duke përdorur një sistem raketor kundërajror. Pajisja me radar e Forcave Aero-hapësinore Ruse e vërejti hedhjen e dy raketave ukrainase”- thuhet më tej në deklaratën e ministrisë ruse.
Duke e fajësuar Ukrainën për “neglizhim të jetës së qytetarëve të saj”, Ministria e Mbrojtjes thotë se ishte arritur pajtim për shkëmbimin e të burgosurve të mërkurën pasdite në pikëkalimin kufitar në Kolotilovka, në kufirin Rusi – Ukrainë.
Sipas rusëve, udhëheqësit ukrainas e dinin se personeli ushtarak ukrainas do të transportohej me aeroplan transportues ushtarak.
Ndërkohë, sipas dy ekspertëve ushtarakë – Mark Cancian e Christopher Petrov - pamjet e rrëzimit të aeroplanit përputhen me rastet kur aeroplanët goditen.
Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, agjencisë “Reuters” i tha: “Komentet do të vijnë pak më vonë. Nevojitet kohë për t’i qartësuar të gjitha të dhënat.”
Ukraina në të kaluarën ka organizuar operacione që duken si veprime sabotuese brenda Rusisë. Televizionit BBC i është thënë se dronët e drejtuar nga Kievi ishin shkaktarë të një shpërthimi në një terminal të gazit në Shën Petersburg para disa ditëve.
Edhe territori ukrainas që kontrollohet nga rusët është sulmuar. Të paktën 27 persona u vranë nga një sulm në Donetsk para dy ditëve.