Rusia thotë se ka kapur territor të ri në rajonin Dnipropetrovsk të Ukrainës - NACIONALE

Rusia thotë se ka kapur territor të ri në rajonin Dnipropetrovsk të Ukrainës

1 javë më parë

nga NACIONALE

Rusia tha të hënën se forcat e saj kishin marrë nën kontroll territor të ri në rajonin Dnipropetrovsk të Ukrainës, ku Kremlini tha se qëllimi i luftimeve pjesërisht është krijimi i një “zone neutrale”.

Mediat shtetërore e cituan Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë të ketë thënë se trupat ruse “vazhduan që të avanconin në thellësitë e mbrojtjes së armikut” dhe e kishin rritur zonën e territorit që e kanë nën kontroll në Dnipropetrovsk, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte në mënyrë të pavarur raportimin nga fusha e betejës. Ukraina tha në fundjavë se forcat e saj ishin duke e mbajtur sektorin e frontit afër kufirit lindor të rajonit Dnipropetrovsk.

Kur u pyet nëse Rusia po mundohej që të krijonte një zonë neutrale duke bërë shtytje drejt Dnipropetrovskut, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gazetarëve iu tha: “Pa asnjë dyshim, kjo është pjesë e asaj.”

Ofensiva ruse në atë pjesë është domethënëse, sepse Dnipropetrovsku nuk është në mesin e pesë rajoneve ukrainase të cilat Rusia më parë ka pretenduar se i ka bërë pjesë të territorit të saj.

Instituti për Studimin e Luftës, organizatë me bazë në ShBA, tha se qëllimi i shtytjes së forcave ruse në Dnipropetrovsk mund të jetë shkëputja e linjave të komunikimit dhe furnizimit të forcave ukrainase në rajonin e Donetskut, i cili ndodhet më në lindje.

Rusia dhe Ukraina i rinisën bisedimet e paqes në Turqi muajin e kaluar pas më shumë se tre vjetëve pauzë, por konflikti në të vërtetë është ashpërsuar javëve të fundit./Nacionale

Lajme të ngjashme