Rusia thotë se ka bërë avancim të madh në Kursk kundër trupave ukrainase - NACIONALE

Rusia thotë se ka bërë avancim të madh në Kursk kundër trupave ukrainase

1 javë më parë

nga NACIONALE

Rusia tha të martën se trupat e saj kishin marrë nën kontroll mbi 100 kilometra katrorë territor dhe 12 vendbanime në rajonin Kursk si pjesë e një ofensive për t’i detyruar forcat ukrainase që të ikin nga pjesa perëndimore e Rusisë.

Avancimet ruse rrezikojnë që të rrethojnë mijëra ushtarë ukrainas, përderisa Ukraina po zhvillon bisedime me zyrtarë të lartë amerikanë në Arabinë Saudite të martën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Njësite të grupit verior të forcave çliruan 12 vendbanime gjatë ofensivës... dhe më shumë se 100 kilometra katrorë të territorit të rajonit të Kurskut” – tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Komandanti i ushtrisë ukrainase tha të hënën se trupat ukrainase që po luftojnë në Kursk nuk janë në rrezik për t’u rrethuar, pavarësisht nga një kundërsulmi të zhvilluar rishtazi nga forcat ruse, në të cilin u përfshinë edhe trupa nga Koreja e Veriut.

Gjeneral Oleksandr Syrskyi tha se situata është nën kontroll, por la të kuptohej se forcat ukrainase kanë qenë duke u tërhequr.

“Njësitet janë duke marrë masa me kohë për të manovruar në pozicione me përparësi për mbrojtje” – tha ai.

Avancimet e forcave ruse në Kursk dhe brenda Ukrainës, bashkë me përmbysjen e politikës amerikane ndaj Ukrainës e Rusisë nga presidenti amerikan, Donald Trump, kanë shkaktuar frikë tek udhëheqësit evropianë se Ukraina mund ta humbë luftën dhe se Trumpi po ia kthen shpinën Evropës.

Forcat speciale ruse ecën disa kilometra nëpër një gazsjellës afër qytezës Sudzha në fundjavë në përpjekje për t’i befasuar forcat ukrainase në Kursk.

Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur raportimet e asnjërës palë në lidhje me situatën në fushën e betejës për shkak të kufizimeve ndaj raportimit në vijën e frontit./Nacionale

Lajme të ngjashme