Rusia thotë se forcat e saj po avancojnë në rrënojat e Pokrovskit, Ukraina thotë se po mbahet - NACIONALE

Rusia thotë se forcat e saj po avancojnë në rrënojat e Pokrovskit, Ukraina thotë se po mbahet

6 ditë më parë

nga NACIONALE

Rusia tha të hënën se trupat e saj kishin avancuar në qytetin lindor ukrainas, Pokrovsk, qendër e logjistikës dhe transportit që janë munduar ta kapin për më shumë se një vit. Megjithatë, Ukraina tha se forcat e saj ishin duke u mbajtur.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ushtarët e saj po i shkatërronin ato që i përshkroi si formacione të rrethuara ukrainase afër stacionit hekurudhor dhe zonës industriale të Pokrovskit dhe se ata kishin hyrë në zonën Prigorodny të qytetit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha para gazetarëve se Rusia po grumbullonte trupa te qyteza afër Pokrovskit, Dobropillia, ku forcat ruse kishin avancuar më herët këtë vit në një kundërsulm të suksesshëm.

Zelensky e përshkroi situatën në Dobropillia si të ndërlikuar. Sipas tij, forcat ruse e kishin humbur iniciativën në atë zonë, por po sillnin më shumë trupa.

Ai shtoi se Pokrovski mbetet nën presion të ashpër, edhe pse ushtarët rusë nuk kishin shënuar përparim gjatë 24 orëve të fundit. Presidenti ukrainas tha se deri në 300 trupa ruse ndodhen ende në këtë qytet.

Komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, tha se forcat e tij e kishin shtuar presionin ndaj Dobropillias me qëllim që trupat ruse të detyrohen për ta tërhequr fokusin nga Pokrovski.

Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur raportet nga fusha e betejës.

Ushtria ukrainase tha se trupat ruse nuk kishin nën kontroll të plotë asnjë distrikt të qytetit, transmeton gazeta "Nacionale".

“Pushtuesit vazhdojnë të sulmojnë në grupe të vogla me deri në pesë ushtarë, pa përdorur automjete të blinduara” – tha task-forca operuese që është përgjegjëse për frontin lindor ukrainas.

Trupa e 7-të e Reagimit të Shpejtë e Ukrainës tha se forcat ukrainase kishin sprapsur një përpjekje për të bllokuar një rrugë furnizimi nga Rodynske, për në veri.

Pokrovski para luftës kishte rreth 60 mijë banorë, por shumica e civilëve kanë ikur kohë më parë. Kapja e tij do t’i jepte Rusisë një platformë për të synuar avancim drejt Kramatorskit dhe Slovianskut, dy qytetet më të mëdha që kanë mbetur nën kontrollin e forcave ukrainase në rajonin e Donetskut, të cilin Rusia synon ta kapë në tërësi.

Lajme të ngjashme