Rusia thotë se është tepër zor të besohet që sulmin në Moskë e ka kryer ISIS-i - NACIONALE

Rusia thotë se është tepër zor të besohet që sulmin në Moskë e ka kryer ISIS-i

4 javë më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha të mërkurën se është “tepër vështirë të besohet” se ISIS-i do ta kishte pasur kapacitetin për ta kryer sulmin në një sallë koncertesh në Moskë që la të paktën 140 të vrarë.

Në një konferencë me gazetarë, Zakharova i përsëriti pretendimet ruse, për të cilat nuk është paraqitur ende ndonjë dëshmi, se Ukraina qëndron prapa sulmit më vdekjeprurës në Rusi në 20 vjet, raporton agjencia “Reuters”.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ISIS-i dhe zyrtarë amerikanë thonë se ata kanë të dhëna të inteligjencës që tregojnë se masakra u krye nga dega e këtij grupi në Afganistan, IS-K. Ukraina ka mohuar se ka qenë e përfshirë në sulm.

Megjithatë, Zakharova tha se Perëndimi nxitoi që t’ia hidhte përgjegjësinë ISIS-it si mënyrë për ta larguar fajin nga Ukraina dhe nga qeveritë perëndimore që e mbështesin atë.

“Me qëllim që t’i shmaning dyshimet nga Perëndimi kolektiv, ata urgjentisht patën nevojë që të shpiknin diçka, prandaj e zgjodhën ISIS-in, nxorën një kartë nga mënga dhe në mënyrë të fjalëpërfjalshme pak orë pas sulmit terrorist, mediat anglo-saksone filluan që t’i shpërndanin saktësisht këto versione” – shtoi ajo.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se sulmi është kryer nga militantë islamistë, por ka sugjeruar se rasti është në favor të Ukrainës dhe se Kievi mund të ketë luajtur një rol.

Sipas Putinit, dikush në anën ukrainase kishte përgatitur një “dritare” për ikjen e të armatosurve matanë kufirit para se ata të kapeshin në perëndim të Rusisë të premten në mbrëmje.

Të martën, megjithatë, presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko, tha se sulmuesit fillimisht ishin përpjekur që të hynin në vendin e tij para se të ktheheshin prapa dhe të niseshin drejt Ukrainës, porsa kishin kuptuar se pikëkalimet ishin mbyllur.

Drejtori i agjencisë ruse të sigurisë, FSB, tha të martën se ai beson që Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe ishin të përfshira në sulm.

Lajme të ngjashme