Rusia thotë se e mirëpret gatishmërinë e Trumpit për t’i zgjidhur problemet me dialog
Rusia e mirëpret gatishmërinë e deklaruar të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, për të zgjidhur problem përmes dialogut, tha të premten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke e ripohuar gatishmërinë e presidentit rus, Vladimir Putin, për bisedime me Trumpin.
Peskovi iu tha gazetarëve se mund të ketë përparim në organizimin e një takimi mes Trumpit dhe Putinit pas inaugurimit të amerikanit në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar. Trumpi tha të enjten se një takim mes dy presidentëve ishte duke u organizuar, por nuk përmendi ndonjë kohë të caktuar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zëdhënësi i Kremlinit tha se Putini në mënyrë të përsëritur e ka deklaruar gatishmërinë e tij për të zhvilluar bisedime me udhëheqës ndërkombëtarë, përfshirë Trumpin.
“Nuk kërkohen kushte për këtë, kërkohen [vetëm] një dëshirë reciproke dhe vullneti politik për të zhvilluar një dialog dhe për t’i zgjidhur problemet ekzistuese përmes dialogut” – tha ai.
“Ne shohim që z. Trump gjithashtu e deklaron gatishmërinë e tij për t’i zgjidhur problemet përmes dialogut, ne e mirëpresim këtë” – shtoi Peskovi.
Sipas tij, nuk ka ende plane specifike për një takim mes Trumpit e Putinit, por se Rusia ishte duke punuar mbi supozimin se të dyja palët janë të hapura për një hap të tillë. “Mësa duket, pasi z. Trump të hyjë në Zyrën Ovale, do të ketë ca lëvizje” – tha zëdhënësi i Kremlinit.
Të enjten, Trumpi tha: “Presidenti Putin dëshiron që të takohemi. Ai e ka thënë këtë edhe publikisht dhe ne duhet t’i japim fund asaj lufte. Ajo është një rrëmujë e përgjakshme.”/Nacionale