Rusia thotë se e ka kapur qytezën Kurakhove të Ukrainës - NACIONALE

Rusia thotë se e ka kapur qytezën Kurakhove të Ukrainës

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Rusia tha të hënën se e ka marrë nën kontroll qytezën Kurakhove të Ukrainës, e cila shtrihet 32 kilometra në jug të Pokrovskut, qendër e rëndësishme logjistike drejt së cilës Rusia ka qenë duke avancuar me muaj.

Pretendimin për kapjen e qytezës Kurakhove e bëri Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në të njëjtën kohë, blogerët rusë të luftës thanë se Ukraina ishte duke sulmuar për ditën e dytë radhazi në rajonin rus të Kurskut ët hënën. Një bloger e përshkroi situatën si shqetësuese.

Ukraina nisi një ofensivë të re të dielën në Kursk, ku forcat e saj fillimisht e kishin kaluar kufirin në gusht dhe në pesë muajt e fundit u kanë rezistuar përpjekjeve ruse për t’i dëbuar ato.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj i kishin sprapsur sulmet e para ukrainase të dielën në veri të një autostrade që kalon drejt kryeqytetit rajonal Kursk.

Megjithatë, blogerët ushtarakë rusë – grup i korrespondentëve dhe ekspertëve të luftës, të cilët e mbështesin luftën e Rusisë, por shpesh i kanë kritikuar mangësitë e saj – thanë se luftime të ashpra po vazhdonin për ditën e dytë radhazi.

“Mëngjesi në rajonin e Kurskut nisi në mënyrë shqetësuese përsëri. Është e qartë se dështimi i djeshëm nuk do ta ndalë armikun dhe ai do të mundohet që ta imponojë vullnetin e vet ndaj nesh përsëri sot” – shkroi në rrjetin “Telegram” blogeri Yuri Podolyaka.

Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit të Ukrainës pas gati tre vjetësh luftë, por suksesi i papritur i Ukrainës në kundërpërgjigje dhe mbajtja e një territori rus nën kontroll mund ta fuqizojnë pozicionin e saj negociues, përderisa të dyja palët po përgatiten për bisedime të mundshme të paqes këtë vit.

Të dyja palët janë përpjekur që t’i përmirësojnë pozicionet e tyre në fushën e betejës para se në Shtëpinë e Bardhë të rikthehet më 20 janar presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump. Trumpi në mënyrë të përsëritur ka thënë se do t’i japë fund shpejt luftës në Ukrainë, por nuk ka treguar se si do ta arrijë këtë./Nacionale

Lajme të ngjashme