Rusia sulmon tri depo në Lviv të Ukrainës, raportohet për një të vrarë
Rusia sulmoi me dronë tri depo të martën herët në qytetin perëndimor ukrainas, Lviv, duke shkaktuar një zjarr të madh dhe duke lënë të vrarë të paktën një person, sipas zyrtarëve lokalë.
Guvernatori i Lvivit, Maxim Kozitsky, tha se zjarrfikësit ishin duke luftuar kundër zjarrit dhe se një burrë 26-vjeçar ishte dërguar në spital. Kryetari i qytetit, Andriy Sadovyi, më vonë tha se nën rrënoja ishte gjetur trupi I një burri që punonte në njërën nga depot, raporton agjencia “Reuters”.
Shërbimet emergjente thanë se zjarri ishte përhapur në një sipërfaqe prej 9.450 metrash katrorë pas një sulmi që ndodhi rreth orës 5 të mëngjesit.
“Dua të theksoj se këto janë depo të zakonshme industriale. Asgjë ushtarake nuk ishte e vendosur aty”- tha guvernatori i Lvivit në rrjetin “Telegram”. Ai shtoi se forcat ruse kishin lëshuar 18 dronë gjatë sulmit dhe se 15 prej tyre ishin rrëzuar.
Forcat ajrore ukrainase thanë se Rusia kishte lëshuar gjithsej 30 dronë dhe një raketë balistike të llojit “Iskander” gjatë sulmeve ndaj Ukrainës natën dhe se 27 dronë ishin rrëzuar.
Agjencia “Reuters” nuk ka mundur ta vërtetojë këtë raportim në mënyrë të pavarur. Nuk pati koment të menjëhershëm nga Rusia, e cila shpesh ka kryer sulme ajrore në Ukrainë që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit të kaluar.
Rusia vazhdimisht e ka sulmuar infrastrukturën që është kritike për mbrojtjen e Ukrainës, sistemin e energjisë dhe bujqësinë, por janë vrarë edhe civilë. Të paktën shtatë persona u vranë në korrik, kur një raketë ruse goditi një ndërtesë banimi në Lviv, qytet që ndodhet larg vijës së frontit.
Moska ka mohuar se vë qëllimisht në shënjestër civilë ose infrastrukturën civile.