Rusia sulmon rrjetin energjetik të Ukrainës, gjashtë të vrarë
Rusia kreu një varg sulmesh me raketa e dronë gjatë natës kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke i bërë të detyrueshme kufizimet në furnizim në mbarë vendin e duke lënë të vrarë gjashtë persona, përfshirë një vajzë 7-vjeçare, thanë të enjten zyrtarët ukrainas.
Kryeminsitrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, e akuzoi Moskën se po i vë në shënjestër njerëzit e Ukrainës dhe furnizimin me rrymë në kohën e afrimit të dimrit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Qëllimi i saj është që ta zhytë Ukrainën në errësirë. Yni është që ta ruajmë dritën. Për ta ndalur terrorin, na nevojiten më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, sanksione më të ashpra dhe presion maksimal ndaj agresorit” – shkroi zonja Svyrydenko në rrjetin “Telegram”.
Zyrtarët rajonalë thanë se dy burra u vranë në qytetin industrial juglindor, Zaporizhia, dhe një vajzë 7-vjeçare nga rajoni qendror Vinnystia vdiq në spital nga lëndimet e pësuara nga një sulm.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha në adresimin tradicional të mbrëmjes se një sulm me bombë ndaj një centrali të energjisë termale në Sloviansk la të vrarë të persona dhe lëndoi disa të tjerë.
Prokurorët në rajonin e Donetskut thanë se nga sulmet ruse ndaj ndërtesave të banimit në qytetin Kramatorsk u vra një person dhe u plagosën tre të tjerë.
Sloviansku dhe Kramatorsku konsiderohen si caqe kyçe të trupave ruse në të ardhmen në avancimin e tyre të ngadalshëm drejt perëndimit.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj kryen një sulm ndaj objekteve të kompleksit ushtarak industrial ukrainas gjatë natës. Moska mohon se i vë në shënjestër civilët dhe thotë se sulmet e saj janë kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Ukrainës ndaj infrastrukturës ruse./Nacionale