Rusia shprehet e gatshme për t’i analizuar nismat e Trumpit për paqe në Ukrainë - NACIONALE

Rusia shprehet e gatshme për t’i analizuar nismat e Trumpit për paqe në Ukrainë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia është e përgatitur për t’i analizuar nismat e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, për paqe në Ukrainë, kur ai ta marrë pushtetin javën e ardhshme, tha të martën ministri i Punëve të Jashtme i Federatës Ruse, Sergei Lavrov.

Kryediplomati rus e tërhoqi vërejtjen se komentet e Trumpit për luftën – të cilës ai ka thënë se mund t’i japë fund luftës brenda 24 orëve pasi të kthehet në Shtëpinë e Bardhë – po bëheshin para inaugurimit të tij, por shtoi se Rusia e mirëpret faktin që ekipi i Trumpit po fillon të flasë për “realitetin në terren”, kur diskutohet për Ukrainën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Lavrovi tha se kjo është pasqyruar në komentet e Trumpit dhe në ato të këshilltarit në ardhje për siguri kombëtare, Mike Waltz.

Waltz-i i tha ABC-së të dielën se është e qartë se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë disi me mjete diplomatike.

“Unë thjesht nuk mendoj që është realiste të thuhet se ne do ta dëbojmë secilin rus nga secili centimetër i tokës ukrainase, madje edhe nga Krimea. Presidenti Trump e ka njohur atë realitet dhe mendoj se ka qenë një hap shumë i madh përpara që e tërë bota po e njeh atë realitet. Tani le të lëvizim përpara” – tha i nominuari i Trumpit për këshilltar të sigurisë kombëtare.

Kremlini thotë se është i hapur për një takim mes presidentëve Vladimir Putin e Donald Trump, për të cilin republikani tha të hënën se mund të ndodhë “shumë shpejt”.

Rusia e ka nën kontroll rreth një të pestën e territorit të Ukrainës pas gati tre vjetëve luftë dhe thotë se ky fakt duhet të merret parasysh në çfarëdo pakti për përfundimin e luftës./Nacionale

Lajme të ngjashme