Rusia reagon pas deklaratës së ministrit izraelit për përdorimin e armëve bërthamore në Gaza - NACIONALE

Rusia reagon pas deklaratës së ministrit izraelit për përdorimin e armëve bërthamore në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Jashtme e Rusisë tha të martën se një deklaratë e një ministri izraelit, që dukej sikur shprehte mundësi të hapur për idenë që Izraeli të kryejë një sulm bërthamor në Gaza, ka ngritur numër të madh të pyetjeve.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të dielën e pezulloi nga takimet e kabinetit qeveritar ministrin e Trashëgimisë, Amihay Eliyahu, “deri në një njoftim të ardhshëm”. Ky ministër vjen nga një parti e së djathtës ekstreme, raporton agjencia “Reuters”.

Kur ishte pyetur në një intervistë në radio për opsionin hipotetik të armëve bërthamore, ministri izraelit ishte përgjigjur: “Kjo është një mënyrë.”

“Kjo ka ngritur një numër të madh të pyetjeve”- tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Ajo shtoi se problemi kryesor është që Izraeli duket se ka pranuar që ka armë bërthamore.

Izraeli nuk pranon publikisht se ka armë bërthamore, edhe pse Federata e Shkencëtarëve Amerikanë vlerëson se Izraeli ka rreth 90 koka bërthamore.

“Pyetja numër një – del se po dëgjojmë deklarata zyrtare për praninë e armëve bërthamore?” pyeti Zakharova.

Nëse është kështu, tha ajo, atëherë ku janë inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore dhe inspektorët bërthamorë ndërkombëtarë?

Deklarata e ministrit izraelit u dënua nga bota arabe, bëri bujë në mediat izraelite, u kritikua edhe nga një zyrtar amerikan, ndërsa Irani bëri thirrje për një kundërpërgjigje të shpejtë ndërkombëtare.

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore duhet të ndërmarrin veprim të menjëhershëm e të papenguar për ta çarmatosur këtë regjim barbar e të aparteidit. Nesër është vonë”- shkroi në rrjetin X të hënën ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian.

Lajme të ngjashme