Rusia propozon rezolutë të veten për Gazën, e sfidon draftin e ShBA-së - NACIONALE

Rusia propozon rezolutë të veten për Gazën, e sfidon draftin e ShBA-së

4 javë më parë

nga NACIONALE

Rusia të enjten e propozoi draftin e saj për një rezolutë të Kombeve të Bashkuara për Gazën, si sfidë ndaj përpjekjes së Shteteve të Bashkuara për ta miratuar tekstin e saj në Këshillin e Sigurimit që do ta mbështeste planin e paqes për Gazën të presidentit Donald Trump, sipas një kopje të draftit që e ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.

ShBA-ja formalisht e vuri në qarkullim draftin e saj të rezolutës te 15 shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit javën e kaluar dhe ka thënë se ka mbështetje rajonale për rezolutën e saj, me të cilën do të autorizohej një mandat 2-vjeçar për një organ qeverisës kalimtar dhe një forcë ndërkombëtare të stabilizimit.

Misioni i Rusisë në OKB tha në një shkresë për vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të enjten pasdite se “kundërpropozimi është i frymëzuar nga drafti i ShBA-së”. Agjencia “Reuters” e ka parë shkresën e Rusisë.

“Objektivi i draftit tonë është që t’i mundësohet Këshillit të Sigurimit që të zhvillojë një qasje të baraspeshuar, të pranueshme dhe të unifikuar drejt arritjes së një ndërprerjeje të qëndrueshme të armiqësive” – thuhet në shkresë.

Në draftin e Rusisë, të cilin e ka parë edhe agjencia “Reuters”, kërkohet që sekretari i Përgjithshëm i OKB-së të identifikojë opsione për një forcë ndërkombëtare të stabilizimit për Gazën dhe në të nuk përmendet “Bordi i Paqes” që është propozuar nga Shtetet e Bashkuara si administratë kalimtare për Gazën.

Misioni i Shteteve të Bashkuara në OKB i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të ecë tutje me rezolutën e paraqitur nga Uashingtoni.

“Përpjekjet për të mbjellë mospajtime tani – kur marrëveshja për këtë rezolutë është në negocim aktiv – ka pasoja të rënda, të prekshme dhe tërësisht të shmangshme për palestinezët në Gaza. Armëpushimi është i brishtë dhe ne i bëjmë thirrje Këshillit [të Sigurimit] që të bashkohet dhe të lëvizë përpara për ta siguruar paqen që është dëshpërimisht e nevojshme” – tha një zyrtar i misionit të ShBA-së në OKB./Nacionale

Lajme të ngjashme