Rusia pretendon se ka arritur fitore të reja territoriale në Donbas të Ukrainës - NACIONALE

Rusia pretendon se ka arritur fitore të reja territoriale në Donbas të Ukrainës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia pretendoi të martën se kishte marrë nën kontroll territore të reja në lindje të Ukrainës, duke thënë se sulmi ukrainas në territorin rus kishte dështuar që ta pengonte Moskën nga zhvillimi i ofensivës në rajonin e Donbasit.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA, e citoi sekretarin e Këshillit të Sigurisë, Sergei Shoigu, të ketë thënë se sulmi i Ukrainës në rajonin rus të Kurskut, që nisi më 6 gusht, i kishte për qëllim përmirësimin e pozitës negociuese të Kievit dhe devijimin e forcave ruse në Donbas, raporton agjencia “Reuters”.

“Por ne kemi forca të mjaftueshme, ne po e vazhdojmë ofensivën tonë” – tha Shoiguja, dikur ministër i Mbrojtjes i Rusisë.

Agjencitë ruse të lajmeve e cituan Ministrinë e Mbrojtjes të ketë thënë se forcat ruse kishin marrë nën kontroll edhe katër fshatra në lindje të Ukrainës. Agjencia “Reuters” nuk mund t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur raportimet për fushën e betejës.

Shoiguja tha se forcat ruse ishin duke e ngritur ritmin e ofensivës së tyre, duke marrë nën kontroll gati një mijë kilometra katrorë për tetë ditë në fund të gushtit e në fillim të shtatorit.

Agjencia “Interfax” e citoi zyrtarin rus të ketë thënë se Ukraina po humb deri në dy mijë ushtarë në ditë. Agjencia “Reuters” nuk mund ta vërtetonte këtë shifër në mënyrë të pavarur.

Trupat ruse ditëve të fundit kanë qenë duke përparuar në rajonin Donetsk, në drejtim të qytetit Pokrovsk, qendër strategjike logjistike për Ukrainën.

Të hënën, Rusia tha se forcat e saj e kishin kapur fshatin Memryk, rreth 25 kilometra në juglindje të Pokrovskut. Sidoqoftë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se forcat e vendit të tij po e mbanin veten në rajonin Donetsk./Nacionale

Lajme të ngjashme