Rusia pretendon se e ka marrë nën kontroll qytezën Marinka, Ukraina e mohon - NACIONALE

Rusia pretendon se e ka marrë nën kontroll qytezën Marinka, Ukraina e mohon

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, ka thënë se trupat ruse e kanë marrë nën kontroll qytezën kyçe, Marinka, e cila shtrihet në lindje të Ukrainës. Sidoqoftë, ky pretendim u hodh poshtë menjëherë nga Kievi.

Shoigu i tha presidentit rus, Vladimir Putin, se njësitet sulmuese e kishin marrë nën kontroll zonën “e fortifikuar fuqishëm” afër Donetskut, kryeqytet rajonal që kontrollohet nga rusët, raporton televizioni BBC.

Megjithatë, zëdhënësi ushtarak i Ukrainës, Oleksandr Shtupun, tha se luftimet për Marinkën po vazhdonin.

Kjo qytezë, që shihet si portë drejt Donetskut, është shkatërruar pothuajse tërësisht gjatë luftës.

Në një takim të transmetuar në televizion me Putinin të hënën, Shoigu tha: “Detashmentet sulmuese të grupit të Jugut sot e çliruan plotësisht vendbanimin e Marinkës, i cili ndodhet pesë kilometra në jugperëndim të Donetskut.”

Putini e quajti sukses kapjen e raportuar të kësaj qyteze, duke thënë se ushtria ukrainase tashmë është shtyrë edhe më larg Donetskut, të cilin ka qenë duke e sulmuar rregullisht nga Marinka.

Kreu i Kremlinit tha, gjithashtu, se forcat ruse tani e kanë “mundësinë për të lëvizur në një zonë më të gjerë operacionale” në rajonin e Donetskut.

Më vonë të hënën, ushtria ukrainase e mohoi pretendimin rus. Zëdhënësi Shtupun i tha televizionit ukrainas se “është e pasaktë të thuhet se Marinka është kapur plotësisht”. “Ushtarët tanë aktualisht janë brenda kufijve administrativë të Mariknës”- shtoi ai.

Javëve të fundit, forcat ruse i kanë shtuar sulmet në disa zona kyçe në frontin mbi 1.200 kilometra të gjatë. Përpos Marinkës, rusët janë munduar që ta rrethojnë Avdivkën, qytezë tjetër kyçe afër Donetskut.

Lajme të ngjashme