Rusia pretendon se e ka kapur qytezën Nova Illinka në lindje të Ukrainës - NACIONALE

Rusia pretendon se e ka kapur qytezën Nova Illinka në lindje të Ukrainës

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të mërkurën se forcat e saj e kishin marrë kontrollin në vendbanimin Nova Illinka, afër qytezës Kurakhove, që shtrihet në rajonin Donetsk, në lindje të Ukrainës.

Ushtria ukrainase nuk e përmendi Nova Illinkan në njoftimet e veta ditore. Qyteza shtrihet në anën tjetër të një rezervuari nga Kurakhove, njëra nga pikat kryesore të avancimit të vazhdueshëm të forcave ruse nëpër rajonin e Donetskut, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Megjithatë, blogu i popullarizuar ukrainas, “Deep State”, që i përcjell lëvizjet e forcave të armatosura, tha para më shumë se një jave se Nova Illinka kishte rënë në duart e rusëve.

Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur raportimet e asnjërës palë rreth fushës së betejës.

Analistët dhe blogerët e luftës thonë se forcat ruse janë duke avancuar në lindje të Ukrainës me ritmin më të shpejtë që nga ditët e hershme të luftës, që nisi në shkurtin e vitit 2022, duke kapur fshat pas fshati.

Kurakhove dhe Pokrosku, më në veri të rajonit Donetsk, duket se janë shënjestrat e ardhshme të avancimit rus.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në adresimin e tij të mbrëmjes përmendi zona përreth këtyre dy qytezave si vende ku po zhvillohen disa prej luftimeve më të ashpra në luftë.

Zelensky e përmendi edhe sektorin e Kupianskut, më në veri të rajonit Kharkiv, ku trupat ruse kanë qenë aktive. Sipas raportimeve ukrainase, trupat ruse kanë bërë dy shtytje rishtazi drejt Kupianskut, por janë sprapsur./Nacionale

Lajme të ngjashme