Rusia kryen sulme të reja në disa pjesë të Ukrainës - NACIONALE

Rusia kryen sulme të reja në disa pjesë të Ukrainës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat ruse kryen sulme në pjesë të ndryshme të Ukrainës gjatë natës, përfshirë kryeqytetin Kiev dhe qytetin perëndimor, Lviv, afër kufirit me Poloninë.

Administrata ushtarake e Kievit tha se Moska kreu një sulm me dron në orët e hershme të së martës, duke i paralajmëruar banorët që të gjenin strehim. Nuk pati raportime të menjëhershme për pasoja në njerëz, raporton gazeta “The Guardian”.

Autoritetet më vonë thanë se sistemet e mbrojtjes ajrore në qytet kishin vërejtur dhe shkatërruar mbi 20 drona “Shahed” të prodhimit iranian në një “sulm masiv ajror”. Sipas zyrtarëve lokalë, ky qe sulmi i dytë me dronë në qytet nga fillimi i këtij muaji.

Një Lviv, një pjesë e infrastrukturës kritike u godit dhe u kaplua nga zjarri, tha administrata ushtarake lokale, por nuk pati persona të lënduar. Më herët, kryetari i qytetit, Andriy Sadovy, raportoi për shpërthime në Lviv dhe në zonën përreth tij. Nuk qe e qartë nëse shpërthimet erdhën nga sistemet e mbrojtjes ajrore ose nga sulmet me raketa.

Sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan edhe në Zaporizhia, raportoi mediumi “Kyiv Independent”, duke theksuar se qyteti jugor ka qenë shumë i shënjestruar nga artileria ruse gjatë ditëve të fundit.

Situata në qytet ishte “e qëndrueshme” pavarësisht nga një “natë e zhurmshme dhe e shqetësuar”, tha kreu i këshillit të qytetit, Anatoly Kurtev.

Nuk pati raportime për të lënduar dhe as dëme ndaj ndërtesave të banimit, përderisa të gjitha sistemet e shërbimeve ishin duke punuar normalisht, tha ai.

Lajme të ngjashme