Rusia i kritikon ashpër udhëheqësit e rinj të Sirisë në një mbledhje të OKB-së me dyer të mbyllura - NACIONALE

Rusia i kritikon ashpër udhëheqësit e rinj të Sirisë në një mbledhje të OKB-së me dyer të mbyllura

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia i ka qortuar udhëheqësit e rinj të Sirisë në një takim me dyer të mbyllura në Kombet e Bashkuara këtë javë, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” dy burimeve me njohuri rreth kësaj mbledhjeje, duke paralajmëruar për ngritjen e xhihadistëve në Siri dhe duke i krahasuar vrasjet sektare të komunitetit Alawite me gjenocidin e Ruandës.

Kritikat private të Moskës për udhëheqësit islamistë të Sirisë vjen pavarësisht nga përpjekjet e Rusisë për të mbajtur dy baza kyçe ushtarake në pjesën bregdetare të këtij shteti, rajoni i njëjtë ku qindra njerëz të pakicës Alawite u vranë javën e kaluar, raporton agjencia “Reuters”.

Dy burime të njoftuara rreth takimit në OKB thanë se ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzia, i krahasoi vrasjet sektare e etnike në Siri me gjenocidin e Ruandës të vitit 1994, kur pjesëtarët e komunitetit Tutsi dhe anëtarë të moderuar të komunitetit Hutu ishin masakruar në mënyrë sistematike nga ekstremistë të komunitetit Hutu, të udhëhequr nga ushtria e Ruandës dhe një grup militant i njohur si Interahamwe.

Burimet e cituan ambasadorin rus në OKB t’u ketë thënë pjesëmarrësve në takim se “askush” nuk i ndali vrasjet në Siri.

Kur u pyet nëse e ka lidhur dhunën në Siri me gjenocidin e Ruandës, Nebenzia agjencisë “Reuters” i tha: “Unë e them atë që e dëshiron në konsultime të mbyllura, duke u bazuar në premisën se janë konsultime të mbyllura dhe nuk del asgjë jashtë.”

Burimet thanë se ambasadori rus i kritikoi shpërbërjen e ushtrisë siriane dhe zvogëlimin masiv të fuqisë punëtore publike, duke paralajmëruar se mund të shpaloset përsëri “skenari i Irakut”, referencë ndaj dhunës sektare që i kishte pasuar rënien e Saddam Hussein-it dhe shpërbërjen e institucioneve shtetërore irakiane.

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, i tha agjencisë “Reuters” në një intervistë këtë javë se administrata e tij nuk dëshiron që t’i shpërndajë pozitat sipas sekteve dhe se në një qeveri të zgjeruar, që pritet të njoftohet këtë javë, mund të përfshihet edhe komuniteti Alawite.

Ai tha se nuk dëshiron të shohë “një çarje mes Sirisë e Rusisë” dhe se Damasku dëshiron që t’i ruajë “marrëdhëniet e thella strategjike” me Moskën.

Në takimin me dyer të mbyllura në OKB, Rusia tha se lëvizjet e pushtetarëve të rinj sirianë krijuan një “themel të korruptuar” për tranzicionin dhe se brengoset që luftëtarë të huaj “terroristë” janë duke luajtur një “rol destruktiv”, thanë burimet./Nacionale

Lajme të ngjashme