Rusia i ka tërhequr trupat verikoreane nga Kursku pas humbjeve, thotë Koreja e Jugut
Trupat e Koresë së Veriut, të cilat ishin dërguar për të luftuar krahas ushtarëve rusë në luftën kundër Ukrainës, nuk janë parë në betejë për disa javë, duke i shtuar spekulimet se ato janë tërhequr pas pësimit të humbjeve të rënda, sipas agjencisë së spiunazhit të Koresë së Jugut.
Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës në Seul këtë javë i konfirmoi raportimet e mediave se trupat verikoreane ishin tërhequr nga vija e frontit rreth mesit të janarit, raporton gazeta “The Guardian”.
Zyrtarë të inteligjencës në Korenë e Jugut kanë thënë se rreth 300 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë dhe rreth 2.700 të tjerë janë plagosur. Në janar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, publikoi një video ku shiheshin dy ushtarë të kapur të Koresë së Veriut, njëri prej të cilëve tha se komandantët e tij i kishin thënë se po e dërgonin në një “ushtrim”.
Ushtarët e Koresë së Veriut, të cilët nuk ishin ballafaquar me luftime para se të dislokoheshin në Rusi, thuhej se nuk ishin të përgatitur për realitetin e vrazhdë të luftës në një terren të panjohur dhe sidomos të ndjeshëm ndaj dronëve ukrainas.
Shërbimi i inteligjencës i Koresë së Jugut tha se numri i lartë i viktimave ishte një faktor në atë që duket si vendim për tërheqjen e ushtarëve të Koresë së Veriut nga Kursku, ku forcat ukrainase nisën një ofensivë të befasishme në gushtin e vitit të kaluar.
Seth Jones nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington vlerësoi këtë javë se rreth gjysma e trupave të Koresë së Veriut që janë dërguar në Ukrainë janë vrarë ose janë lënduar në luftën e Rusisë kundër forcave ukrainase.
Koreja e Veriut nuk e ka pranuar publikisht rolin e saj në luftë, por presidenti rus, Vladimir Putin, në tetor nuk mohoi se forca të këtij shteti kishin arritur në Rusi.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Koresë së Veriut, Kim Jong-gyu, tha se çfarëdo dislokimi i tillë do të ishte në vijë me të drejtën ndërkombëtare./Nacionale