Rusia i heq talibanët nga lista e organizatave të ndaluara terroriste
Rusia të enjten e hoqi vendimin për ndalimin e talibanëve, të cilët i kishte cilësuar si organizatë terroriste për më shumë se dy dekada, në një vendim që ia hap rrugën Moskës për normalizim të marrëdhënieve me udhëheqësit e Afganistanit.
Asnjë shtet tani për tani nuk e njeh qeverinë e talibanëve, të cilët e morën pushtetin në gushtin e vitit 2021, përderisa forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara e nisën tërheqjen kaotike nga Afganistani pas 20 vjetëve luftë.
Megjithatë, Rusia ka qenë duke ndërtuar gradualisht lidhje me talibanët, për të cilët presidenti rus, Vladimir Putin, vitin e kaluar tha se tashmë janë aleatë në luftimin e terrorizmit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Talibanët ishin shpallur të paligjshëm dhe ishin futur në listën e organizatave terroriste nga Rusia më 2003. Mediat shtetërore thanë se Gjykata Supreme e Rusisë të enjten e shfuqizoi vendimin me efekt të menjëhershëm.
Rusia sheh nevojë për të punuar me talibanët, përderisa vetë ballafaqohet me një rrezik domethënës të sigurisë nga grupet militante islamike me baza në një varg shtetesh, nga Afganistani deri në Lindjen e Mesme.
Në marsin e vitit të kaluar, disa persona të armatosur vranë 145 njerëz në një sallë koncertesh afër Moskës. Përgjegjësinë për sulmin e mori ISIS-i. Talibanët thonë se janë duke punuar për ta zhdukur praninë e ISIS-it në Afganistan.
Diplomatët perëndimorë thonë se rruga e talibanëve drejt një njohjeje më të gjerë ndërkombëtare do të ngecë derisa ata ta ndryshojnë qëndrimin për të drejtat e grave. Talibanët ua kanë ndaluar vajzave e grave regjistrimin në shkolla të mesme dhe universitete si dhe u kanë vendosur kufizime në lidhje me lëvizjen pa një kujdestar të gjinisë mashkullore./Nacionale