Rusia i bën thirrje Azerbajxhanit që t’i riparojë marrëdhëniet me Moskën në kohën e krizës diplomatike - NACIONALE

Rusia i bën thirrje Azerbajxhanit që t’i riparojë marrëdhëniet me Moskën në kohën e krizës diplomatike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministria e Jashtme e Rusisë të mërkurën i bëri thirrje Azerbajxhanit që t’i rregullojë marrëdhëniet me Moskën në një nivel që do të ishte në të mirë të “bashkëpunimit strategjik”, pasi tha se forca të caktuara po mundoheshin që t’i dëmtonin lidhjet mes dy vendeve.

Përplasja diplomatike filloi javën e kaluar, pasi dy azerë etnikë vdiqën gjatë bastisjeve të policisë në Rusi dhe eskaloi pasi Bakuja arrestoi dy gazetarë shtetërorë rusë dhe 15 rusë të tjerë nën dyshimin për trafikim droge dhe krime kibernetike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Azerbajxhani thotë se analizat pas vdekjes në Baku treguan se dy burrat që e humbën jetën në Rusi ishin rrahur për vdekje, edhe pse Moska tha se njëri prej tyre vdiq nga problemet në zemër.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Azerbajxhanit kanë qenë të tensionuara nga fundi i vitit të kaluar, kur 38 njerëz vdiqën nga rrëzimi i një aeroplani që ishte nisur nga Bakuja drejt pjesës jugore të Rusisë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha të mërkurën se Moska ka qenë duke e kultivuar marrëdhënien e saj me Bakunë për shumë vjet duke u mbështetur në respekt të ndërsjellë dhe sugjeroi se aktorë të panjohur tani po mundohen që ta shfrytëzojnë situatën për “t’i ngrohur duart e tyre” – frazë ruse që e ka kuptimin e pasurimit.

Ajo tha më vonë në një konferencë për shtyp se Azerbajxhani duhet t’i rivendosë marrëdhëniet me Rusinë, duke u ankuar se Moska nuk ka qasje konsullore te shtetasit e saj të ndaluar në Azerbajxhan./Nacionale

Lajme të ngjashme