Rusia hedh valë të re dronësh në Ukrainë, Kievi raporton për një të vrarë
Rusia kreu një valë të re të sulmeve me dronë gjatë sulmeve natën ndaj Ukrainës të premten, duke vrarë një civil e duke plagosur katër të tjerë në rajonin e Kievit, thanë zyrtarët rajonalë dhe ushtarakë.
Sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore rrëzuan 60 prej 93 dronëve rusë, thanë forcat ajrore, duke shtuar se 26 dronë “u humbën”, si referencë e përdorimit të sistemeve elektronike të luftës nga Ukraina për t’i sprapsur dronët rusë.
Forcat ajrore shtuan se një dron rus ishte ende në ajër, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Mykola Kalashnyk, guvernator në detyrë i rajonit të Kievit, tha se një vozitës kamioni u vra nga mbetjet që ranë nga ajri. Mbetjet gjithashtu dëmtuan disa shtëpi private dhe lënduan katër njerëz, përfshirë një djalë 16-vjeçar, shtoi ai.
Forcat ajrore ukrainase thanë se në shënjestër të dronëve rusë ishin nëntë rajone në mbarë Ukrainën. Shtëpi banimi e ndërtesa komerciale u dëmtuan në rajonin e Donetskut në lindje dhe në Chernihiv në veri, tha ushtria.