Rusia e vendos kontrollin mbi pasuri të kompanive perëndimore si hakmarrje ndaj sanksioneve - NACIONALE

Rusia e vendos kontrollin mbi pasuri të kompanive perëndimore si hakmarrje ndaj sanksioneve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia e mori kontrollin e përkohshëm të pasurive të grupit finlandez të energjisë, “Fortum” dhe të ish-filialit të saj gjerman, “Uniper”, duke mbjellë paqartësi për të ardhmen e kompanive të tjera perëndimore në Rusi, kur po rritet presioni që Moska të goditet me më shumë sanksione për luftën në Ukrainë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, të martën vonë nënshkroi një dekret për vendosjen e kontrollit të përkohshëm mbi pasuritë e kompanive shtetërore evropiane të energjisë në Rusi. Kompania “Fortum” tha se është duke hulumtuar, ndërsa kompania “Uniper” dhe Ministria e Financave e Gjermanisë nuk patën ndonjë koment të menjëhershëm, raporton agjencia “Reuters”.

Dekreti – në të cilin përmendet hakmarrja e mundshme, nëse pasuritë ruse jashtë vendit sekuestrohen – tregoi se Moska tashmë ka ndërmarrë masa kundër pasurisë së divizionit rus të kompanisë “Uniper” dhe kompanisë “Fortum”. Rusia bëri të qartë se vendimi mund të kthehet prapa.

Moska ka reaguar me zemërim ndaj raportimeve se vendet e Grupit G7 janë duke e shqyrtuar ndalimin pothuajse të plotë të eksporteve në Rusi, ndërsa shumë vende kanë bërë thirrje për sanksione shumë më të ashpra për ta kufizuar aftësinë e Rusisë për të luftuar në Ukrainë. Bashkimi Evropian po e shqyrton mundësinë që ta shfrytëzojë pasurinë e ngrirë ruse për ta rindërtuar Ukrainën.

Në dekretin e nënshkruar nga Putini thuhet se Rusia duhej të ndërmerrte masa urgjente për t’iu kundërpërgjigjur veprimeve të pasaktësuara nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, për të cilat tha se janë “jomiqësore dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”.

Banka shtetërore ruse, VTB, këtë javë tha se Rusia duhet ta shqyrtojë mundësinë për t’i marrë nën kontroll dhe për t’i menaxhuar pasuritë e kompanive të huaja si “Fortum” e t’i kthejë ato vetëm kur të hiqen sanksionet.

Lajme të ngjashme