Rusia e sulmon Odesën për natën e dytë rresht, zjarr në bazën ushtarake ruse në Krime - NACIONALE

Rusia e sulmon Odesën për natën e dytë rresht, zjarr në bazën ushtarake ruse në Krime

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia kreu sulme në rajonin jugor ukrainas të Odesës, tha të mërkurën herët guvernatori lokal. Kjo qe nata e dytë rresht e sulmeve ruse në zonë që nga tërheqja e Rusisë nga marrëveshja për eksportimin e drithit.

Guvernatori Oleg Kiper tha se është kryer “një sulm masiv”, por nuk dha hollësi. Ai u bëri thirrje banorëve që të qëndronin në strehimore, raporton gazeta “The Guardian”.

Forca ajrore ukrainase tha se e kishte vërejtur hedhjen e raketave të llojit “Kalibr” nga Deti i Zi, pa dhënë hollësi të tjera.

Në një video të publikuar në rrjete sociale, ku pretendohet se shfaqen pasojat e një sulmi, shihet një objekt banesor shumëkatësh me disa dritare të thyera, ndërsa copat e xhamit shihen në rrugë.

Sirenat e alarmit për sulme ajrore raportohet se u aktivizuan në më shumë se dhjetë rajone në pjesë të ndryshme të vendit.

Të martën, disa objekte në qytetin bregdetar të Odesës u dëmtuan nga një sulm rus, pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja për lehtësimin e eksportimit të drithit nga Ukraina.

Më vonë, Kremlini lëshoi një paralajmërim të tërthortë për të ardhmen e eksportimit të drithit përmes Detit të Zi, duke pretenduar se Ukraina ishte duke e përdorur korridorin e eksportit “për qëllime luftarake”.

Zjarri në Krime

Guvernatori i mbështetur nga Moska tha të mërkurën se një zjarr ka shpërthyer në një zonë për trajnime ushtarake në distriktin Kirovske të Gadishullit të Krimesë.

Për shkak të zjarrit u mbyll autostrada “Tavrida”, tha guvernatori i emëruar nga Rusia, Sergei Akyonov, në rrjetin “Telegram”.

Më herët, agjencia e lajmeve “RBC-Ukraine” raportoi se ka pasur shpërthime në zonën për trajnime ushtarake.

Lajme të ngjashme