Rusia e mohon raportin për bisedime me Ukrainën për armëpushim të pjesshëm
Rusia të dielën mohoi një raport ku thuhej se sulmi i Ukrainës në rajonin rus të Kurskut i kishin nxjerrë nga binarët bisedimet e tërthorta me Kievin për ndaljen e sulmeve ndaj caqeve të energjisë, duke thënë se nuk kishte negociata të tilla me Kievin për objektet e infrastrukturës civile.
Gazeta e njohur amerikane, “The Washington Post”, raportoi të shtunën se Ukraina dhe Rusia pritej t’i dërgonin delegacionet e tyre në Katar këtë muaj për të biseduar për një marrëveshje me të cilën do të ndaleshin sulmet ndaj infrastrukturës së energjisë nga të dyja palët e konfliktit, raporton agjencia “Reuters”.
E përditshmja amerikane tha se kjo marrëveshje do të përbënte armëpushim të pjesshëm, por se bisedimet kishin dalë nga binarët për shkak të sulmit ukrainas ndaj territorit sovran rus.
“Askush nuk ka shkëputur asgjë, sepse nuk kishte asgjë për të shkëputur” – tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, për raportin e gazetës amerikane.
“Nuk ka pasur bisedime të drejtpërdrejta ose të tërthorta mes Rusisë dhe regjimit të Kievit për sigurinë e objekteve të infrastrukturës civile kritike” – shtoi ajo.
Qeveria e Ukrainës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë “Reuters” për koment. Gazeta “The Washington Post” raportoi se zyra presidenciale e Ukrainës kishte thënë se samiti në Doha ishte shtyrë për shkak të situatës në Lindje të Mesme dhe se kjo ngjarje do të zhvillohej në formatin e një video-konference më 22 gusht.
Rusia dhe Ukraina e kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulme ndaj infrastrukturës civile në luftë. Të dyja mohojnë se kanë bërë vetë një gjë të tillë.
Zakharova më pas e citoi presidentin rus, Vladimir Putin, i cili më 12 gusht kishte pyetur se çfarë bisedime mund të zhvilloheshin me Ukrainën pas sulmit të saj tokësor ndaj Rusisë dhe pas atyre që ai tha se ishin sulme ndaj infrastrukturës civile ruse.
“Nuk ka asgjë për të biseduar me njerëz që ndërsejnë gjëra të tilla” – tha zëdhënësja ruse.