Rusia e kërcënon Finlandën me hakmarrje pas hapave për anëtarësim në NATO - NACIONALE

Rusia e kërcënon Finlandën me hakmarrje pas hapave për anëtarësim në NATO

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kremlini ka paralajmëruar se mund të bëjë hapa hakmarrës tekniko-ushtarakë, pasi udhëheqësit e Finlandës thanë të enjten se e përkrahin anëtarësimin e vendit të tyre në NATO. Suedia mund ta bëjë të njëjtën gjë pas disa ditëve. Ky ndryshim historik i qëndrimit të dy vendeve skandinave për aleancën ushtarake është nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Ministria e Jashtme e Rusisë paralajmëroi se Moska “do të ishte e detyruar që të bëjë hapa hakmarrës me karakteristika tekniko-ushtarake dhe të tjera me qëllim që t’u bëjë ballë kërcënimeve që po i shfaqen sigurisë kombëtare”.

Dërgimi i armëve dhe formave të tjera të përkrahjes ushtarake nga Perëndimi në Ukrainë ka qenë jetik për aftësinë e befasishme të Kievit për t’i bërë ballë sulmit rus dhe Kremlini paralajmëroi përsëri se këto ndihma mund të çojnë në konflikt të drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe Rusisë.

“Gjithmonë është rreziku që një konflikt i tillë të shndërrohet në luftë të plotë bërthamore, skenar që do të jetë katastrofik për të gjithë”, tha ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, tash nënkryetar i Këshillit të Sigurisë.

Ndërkohë kanë vazhduar luftimet dhe sulmet ruse. Autoritetet thanë se të paktën dy civilë u vranë të enjten në periferi të qytetit Kharkiv.

Komandanti ukrainas për rajonin lindor, Luhansk, tha të premten se forcat ruse hapën zjarr 31 herë në zona banimi të enjten, duke shkatërruar dhjetëra shtëpi, kryesisht në fshatrat Hirske dhe Popasnianska.

Përparimi i forcave ruse në Donbas ka qenë i ngadalshëm, por ato kanë fituar ca territore dhe kanë marrë nën kontroll disa fshatra.

Lajme të ngjashme