Rusia e dënon me burgim të gjatë për spiunim amerikanin Eugene Spector
Një gjykatë ruse e ka dënuar shtetasin amerikan, Eugene Spector, me 15 vjet burgim për spiunim, raportoi të martën agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA.
Spector, i cili tash për tash është duke vuajtur një dënim me burgim prej tre vjetësh e gjysmë për ryshfet, është lindur në Rusi e pastaj është vendosur në ShBA. Aktakuza për spiunim i ishte ngritur në gushtin e kaluar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Para arrestimit të tij në vitin 2021, ai kishte shërbyer si drejtor i bordit të kompanisë “Medpolymerprom Group”, e cila është e specializuar për ilaçe kundër kancerit, thanë mediat shtetërore.
Spector në rastin e parë gjyqësor ishte deklaruar i pafajshëm për dhurimin e ndihmës për ryshfet për një asistent të një ish-kryeministri rus.