Rusia e Bjellorusia nisin ushtrim të përbashkët, shkaktojnë shqetësim në Perëndim - NACIONALE

Rusia e Bjellorusia nisin ushtrim të përbashkët, shkaktojnë shqetësim në Perëndim

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Rusia dhe Bjellorusia të premten nisën një ushtrim të përbashkët ushtarak të planifikuar kohë më parë, në të cilin do të marrin pjesë mijëra trupa. Ky ushtrim ka ngritur shqetësime në Perëndim.

Ushtrimi i titulluar “Zapad 2025”, që do të thotë “Perëndimi 2025”, do të mbahet në Bjellorusi dhe Rusi dhe do të zgjatë deri të martën. Qëllmi është që të shfaqen lidhjet e ngushta mes Moskës e Minskut si dhe fuqia ushtarake ruse, kur Rusia po e vazhdon luftën në Ukrainën fqinje, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Ushtrimi vjen pas hyrjes së dronëve rusë në hapësirën ajrore polake më herët këtë javë, veprim që e ringjalli frikën e hershme se armiqësitë në Ukrainë mund të nxisin konflikt më të gjerë. Ushtria ruse tha se nuk ishte duke e vënë në shënjestër Poloninë dhe Bjellorusia tha se dronët mund ta kishin humbur drejtimin. Megjithatë, udhëheqësit evropianë e kanë përshkruar rastin si provokim të qëllimshëm, duke i detyruar vendet e NATO-s që të ballafaqohen për herë të parë me një kërcënim potencial në hapësirën ajrore të aleancës.

Ushtrimi i përbashkët ruso-bjellorus ka shkaktuar shqetësime edhe në Ukrainë dhe tek aleatët e saj perëndimorë, Poloni, Lituani e Letoni, vende që kufizohen me Bjellorusinë. Kur presidenti rus, Vladimir Putin, e urdhëroi hyrjen e trupave ruse në Ukrainë më 24 shkurt 2022, shumë prej tyre hynë përmes Bjellorusisë pas ushtrimeve të përbashkëta që ishin mbajtur disa ditë para sulmit.

Zyrtarët bjellorusë të mbrojtjes fillimisht thanë se rreth 13 mijë trupa do të merrnin pjesë në ushtrimin e përbashkët, që pritej të zhvillohej afër kufirit perëndimor të Bjellorusisë. Në maj, megjithatë, Ministria e Mbrojtjes e këtij endi tha se numri pothuajse do të përgjysmohej dhe se manovrat kryesore do të mbaheshin më thellë brenda territorit, më larg kufirit.

Në Moskë, Ministria e Mbrojtjes tha të premten se një pjesë e ushtrimit do të zhvillohet në territorin rus në detet Baltik dhe Barents.

Muajin e kaluar, ministri i Mbrojtjes i Bjellorusisë, Viktor Khrenin, tha se pjesa më e madhe e ushtrimit do të bëhet përreth qytetit Barysaw, rreth 70 kilometra në verilindje të kryeqytetit Minsk, edhe pse “disa njësite të vogla do të kryejnë detyra praktike për të sprapsur një armik hipotetik” në zona afër kufirit me Poloninë dhe Lituaninë.

Ministri bjellorus theksoi se ushtarët do ta praktikojnë “planifikimin e përdorimit” të armëve bërthamore ruse dhe raketave me rreze të mesme “Oreshnik”, të cilat mund të bartin koka bërthamore dhe të cilat Moska ka premtuar se do t’i vendosë në Bjellorusi./Nacionale

Lajme të ngjashme