Rusia dhe Kina e kritikojnë ShBA-në në OKB për sulmet në Lindje të Mesme
Rusia dhe Kina i kanë kritikuar Shtetet e Bashkuara për sulmet ajrore të kryera rishtazi ndaj disa caqeve në Irak e Siri.
Dy fuqitë aziatike e akuzuan Uashingtonin të hënën në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se po rrezikon për eskalim në rajon. Rusia pretendoi se vendimi i ShBA-së për këto sulme është i lidhur me zgjedhjet presidenciale të nëntorit, raporton televizioni “Al Jazeera”.
Rusia, lufta e së cilës në Ukrainë ka qenë temë e debateve të ashpra në Këshill të Sigurimit gjatë dy viteve të fundit, e kishte kërkuar takimin në OKB pas kryerjes së dhjetëra sulmeve nga ShBA-ja kundër caqeve të lidhura me Iranin në Irak e Siri. Këto sulme erdhën pas një sulmi me dron ndaj një baze amerikane në Jordani, ku u vranë tre ushtarë.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, pretendoi se këto sulme ishin përpjekje e ShBA-së për “t’i shtrirë muskujt e vet”. Ai gjithashtu vlerësoi se vendimi u nxit nga dëshira për të ndikuar në terrenin e brendshëm politik dhe për ta shpëtuar imazhin “katastrofal” të administratës së presidentit Joe Biden.
Nebenzia shtoi se këto sulme, nga të cilat u vranë dhjetëra njerëz, përfshirë civilë, e shfaqin shpërfilljen e plotë të së drejtës ndërkombëtare nga Uashingtoni. Ai gjithashtu e akuzoi ShBA-në se po synon t’i tërheqë fuqitë e Lindjes së Mesme, përfshirë Iranin, në një konflikt rajonal.
Edhe Siria pretendoi se motiv për sulmet amerikane ishte politika e brendshme e ShBA-së. Ambasadori Koussay Aldahhak tha se Damasku refuzon që shtetet të shfrytëzohen si “platformë për fushatat zgjedhore të ShBA-së dhe për shfaqjen e një force brutale që i minon parimet e sigurisë kolektive”.
Kina gjithashtu i dënoi sulmet. Ambasadori kinez, Zhang Jun, i bëri jehonë shqetësimit për eskalimin e tensioneve. “ShBA-ja pretendon se nuk synon që të krijojë konflikte në Lindje të Mesme ose kudo tjetër, por në realitet, ajo e bën saktësisht të kundërtën” – tha ai.
“Veprimet ushtarake të ShBA-së pa dyshim se po nxisin trazirë të re në ktë rajon dhe po i intensifikojnë më tej tensionet” – shtoi emisari i Pekinit në OKB.
Saeid Iravani, ambasador i Iranit në OKB, tha se sulmet e ShBA-së e kishin shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe kanë treguar një “përpjekje të dëshpëruar” për ta larguar vëmendjen nga shkaktari themelor i trazirës rajonale – lufta e Izraelit në Gaza, e përkrahur nga ShBA-ja, që ka lënë të vrarë mbi 27 mijë palestinezë.
“Pretendimet se bazat e Iranit në Irak e Siri u sulmuan, refuzohen si të pabaza dhe vlerësohen si përpjekje për ta larguar vëmendjen nga veprimet agresive të ShBA-së” – shtoi ambasadori iranian.